Vitet e fundit, Shqipëria është shndërruar në një destinacion popullor për turistët britanikë. Gazeta e përditshme “Express“, i dedikon një artikull të veçantë bregdetit të Durrësit, i cili është renditur ditët e fundit si një nga plazhet më të qeta për t’u vizituar në Evropë në muajin Prill.
“Koha me diell dhe perëndimet nuk ishin e vetmja gjë që më bëri përshtypje në udhëtimin tim në këtë pikë të nxehtë të Ballkanit”, shkruan gazetari Sydney Evans, i cili ka kaluar disa ditë në këtë qytet verën e kaluar.
Në këtë artikull qyteti bregdetar i Durrësit nuk përshkruhet si plazhi më i qetë, veçanërisht në Korrik, kur është edhe kulmi i sezonit turistik në Shqipëri. Por siç shprehet gazetari britanik, ishte tepër e lehtë për të gjetur hapësirë të mjaftueshme në plazh dhe për të rezervuar shezlonge që ishin të lira, duke kaluar ditën në bregdet, derisa dielli të zhdukej në perëndimet më të pabesueshme, çdo natë.https://www.youtube.com/embed/46Cgd-Y1JmU?si=r8lDQVNn7lMb0Y0c
Mikpritja dhe ushqimi janë ato që u kanë lënë më shumë përshtypje të huajve.
“Express” shkruan se, ndërsa Durrësi është i mrekullueshëm për disa ditë buzë plazhit, me shumë hotele dhe restorante aty pranë dhe me vendndodhje të përshtatshme falë afërsisë me Tiranën, plazhet më në jug janë padyshim më piktoreske, që shpesh u referohen si Rivieria Shqiptare.
Me dëshirën për t’u rikthyer në Shqipëri, gazetari britanik, shkruan se herën tjetër do t’i japë vetes më shumë kohë për të eksploruar këtë rajon të vendit dhe plazhet e tij spektakolare.