Tensione në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
“Dera e Bashkimit Europian do të jetë e mbyllur për Shqipërinë për sa kohë që Fredi Beleri nuk do të lejohet të betohet si kryebashkiak i Himarës, ka paralajmëruar Athina zyrtare në Bruksel”, kështu e nis artikullin gazeta Protothema artikullin e saj referuar debateve për integrimin e Shqipërisë. Sipas media greke, “Kryeministri shqiptar Edi Rama zgjodhi ‘kundërshtarin’ e gabuar për të treguar forcën me rastin e çështjes Beleri”.
Protothema në artikullin e saj shkruan se “Edi Rama, duke iu referuar gjyqësorit të ‘pavarur’ shqiptar, deklaroi me sfidë se asgjë nuk do të ndryshojë edhe nëse ‘bie i gjithë Këshilli Europian’.” Ndërsa shton se gjykata, pas deklaratave publike të kreut të qeverisë shqiptare, hodhi poshtë kërkesën të hënën e Fredi Belerit për t’u betuar si kryetar bashkie.
“Ndërkohë pritet vijimi i gjyqit simulues për skemën e pretenduar të blerjes së votës”, shkruan Protothema.
Në takimet ministrore për përgatitjen e Samitit, megjithë qëndrimin e ftohtë të evropianëve, Athina shpjegoi se nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin e saj, siç ishte formuluar edhe me rezervën e shprehur në letrën dërguar Shqipërisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit, raporton gazeta greke. Në Samitin e BE, që zhvillohet në data 14 dhe 15 dhjetor nuk pritet që të ketë një diskutim të gjerë për zgjerimin përtej vendeve të reja kandidate të Ukrainës, Moldavisë, Bosnje-Hercegovinës.
“Nga pala greke, nëse nevojitet dhe provokohet një diskutim, do të theksohet qëndrimi i prerë për të bllokuar Shqipërinë. Edi Rama, i inkurajuar nga qëndrimi i evropianëve që e konsiderojnë çështjen e Belerit si një çështje dypalëshe, beson se Greqia do të përkulet ndaj presionit të partnerëve të saj dhe po investon në një përballjeje ku ai mban ‘çelësin’.
Megjithatë, për Athinën, tani çështja Beleri, pasi qeveria zgjodhi të përfshihej aktivisht, është një çështje që ka të bëjë jo vetëm me mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke, por edhe me besueshmërinë dhe prestigjin e tij në rajonin e Ballkanit. Dhe kjo është arsyeja pse bllokimi i rrugës evropiane të Shqipërisë është një rrugë me një kalim”, përfundon media greke.