Mediat greke: Mitsotakis darkë me liderët e Ballkanit dhe BE. Shqipëria ftohet në nivel presidenti, nuk do të përfaqësohet

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të takohen mbrëmjen e së hënës (21 gusht) në një darkë informale të organizuar nga Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Protothema raporton se ftesa i është dërguar dhe Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, por kreu i shtetit nuk do të jetë i pranishëm për shkak të agjendës së paracaktuar.

Darka organizohet në kuadër të zgjerimit dhe të ardhmes europiane të rajonit. Për kryeministrin grek, synimi mbetet stabiliteti, paqja dhe siguria energjetike e Ballkanit dhe Europës Juglindore.

Sipas së njëjtës media, bëhet me dije se ftesës së Mitsotakis i janë përgjigjur Presidentja e KE, Ursula Von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Po ashtu, në takimin që do mbahet në Athinë në hotelin “Britania e Madhe”, do të marrin pjesë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kjo darkë vjen pak ditë pas rritjes së tensioneve mes Greqisë dhe Shqipërisë, për shkak të çështjes Beleri.

Pak ditë më parë, në Himarë u mbajt një protestë në mbështetje të Fredi Belerit, i cili prej 12 majit ndodhet në paraburgim, në të cilën merrnin pjesë Kryebashkiaku i Athinës dhe Selanikut. Në këtë protestë, dy kryebashkiakët paralajmëruan përkeqësim të marrëdhënieve shqiptaro-greke nëse nuk do të lirohej Beleri.

Ky paralajmërim solli gjithashtu edhe reagimin e Kryeministrit Edi Rama i cili theksoi se Greqia nuk duhet të ndërhyjë në vendimet e drejtësisë shqiptare.

Share This Article