Dhjetëra raketa të lëshuara në Bakhmut. Ukraina kështu ka nisur betejën për të rimarrë kontrollin mbi qytetin e pushtuar nga forcat ruse dhe mercenarët famëkeq të Wagner, ndoshta dhe më shumë se kaq.
“Mos mendoni se kjo do të jetë kundërofensiva e fundit”, konfirmon ministri i jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba, duke saktësuar se beteja përfundon vetëm me çlirimin e të gjitha territoreve të pushtuara nga forcat ruse.
Ai komentoi dhe gjuhën kërcënuese të ish presidentit rus, Dmitry Medvedev, i cili sugjeroi një atentat për vrasjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas incidentit me dronë në Kremlin. “Medvedev duhet të pijë më pak vodka përpara se të shkruajë në Telegram”, theksoi Kuleba.
Sakaq, presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur procedurat parlamentare për të larguar vendin e tij zyrtarisht nga Traktati për armët konvencionale në Europë. Në kundërpërgjigje, NATO diskuton për ndryshimin e planeve rajonale. Bëhet fjalë për taktika specifike gjeografikisht që përshkruajnë se si do të mbrohen zona kyçe të aleancës kundër dy kërcënimeve kryesore: Rusisë dhe grupeve terroriste. Polonia, një shtet anëtar i NATO-s, thirri ambasadorin rus për t’i dorëzuar një notë proteste për provokimin e radhës ku një avion polak I misionit FRONTEX është shqetësuar nga një avion ushtarak rus në Detin e Zi.
“Polonia na urren prej shekujsh”, ishte reagimi i zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai komentoi dhe vendimin e Varshavës për të riemërtuar qytetin rus të Kaliningradit në dokumentet zyrtare, duke e konsideruar këtë një “akti armiqësor”.
Kjo enklavë, e njohur me emrin gjerman Koenigsberg pas Luftës së Dytë Botërore, është aneksuar nga Bashkimi Sovjetik dhe emërtuar në nder të politikanit sovjetik, Mikhail Kalinin.