Një operacion i madh kundër pastrimit të parave të drogës përmes kriptomonedhave u finalizua në Spanjë nga Europol, ku morën pjesë 6 agjenci të tjerë, përfshirë SPAK dhe BKH në vendin tonë. Në pranga u vunë 9 persona si dhe u sekuestruan 25 milionë euro kriptomonedha, 35,000 euro cash, ar, bizhuteri, dokumente dhe celularë.
Ky operacion është vijimi i dy aksioneve të mëparshme, GORGON dhe WHITEËALL. Në megaoperacionin e Europol mori pjesë edhe Prokuroria e Posaçme SPAK, për shkak se në Gusht të këtij viti nga operacioni i koduar GORGON u godit grupi i Çapjave në Elbasan.
Në njoftimin zyrtar të Europol thuhet se grupi kishte bazë edhe në Shqipëri, pasi një shtetas shqiptar, pjesë e grupit të Çopjajve ka ndihmuar anëtarët e këtij grupi kriminal që të pastronin paratë përmes kriptomonedhave.
Hetimet për këtë grup kanë nisur që në vitin 2021, kun ë një banesë u sekuestruan një sasi e madhe parash pas një operacioni për trafik kokaine. Disa nga kartëmonedhat pesë euro kishin mbishkrime me dorë, që sipas Europol, pas zbërthimit të këtyre mbishkrimeve janë arritur të sigurohen informacione mbi personat që koordinonin dhe financonin veprimtarinë kriminale.
Nëpërmjet një kontrolli të këtyre të dhënave në EncroChat dhe Sky ECC u zbulua një koordinator që ofronte shërbime bankare për një rrjet kriminal me bazë në Spanjë, i cili nga ana tjetër ishte nën mbikëqyrjen e një rrjeti që operonte nga Dubai. I dyshuari, shtetas britanik, u arrestua më 12 shtator 2022.
Një nga gjetjet kryesore të hetimit ishte se një anëtar i një rrjeti kriminal me bazë në Shqipëri, i shënjestruar gjatë operacionit GORGON në muajin Korrik, lehtësonte transferimin e shumave të mëdha parash përmes kriptomonedhave.