Një numër shumë i vogël i njerëzve janë mbledhur rreth vendit të shenjtë të besimtarëve myslimanë, Mekës, të dielën, pasi Arabia Saudite ka liruar disa nga kufizimet e vendosura muaj më parë.
Arabia kishte marrë vendim për kufizim për pelegrinët myslimanë në fillim të marsit kur pandemia me koronavirus shpërtheu, transmeton KOHA. Por, kur shtetet filluan të lirojnë masat, Arabia Saudite të dielën ka filluar të lejojë deri në 6,000 pelegrinë në ditë në Mekë.
Vetëm qytetarët dhe banorët sauditë do të lejohen të hyjnë brenda gjatë kësaj faze të parë të hapjes dhe secili person ka në dispozicion tre orë për të përfunduar haxhillëkun.
Xhamia e Madhe pastrohet dhe dezinfektohet disa herë në ditë. Para se vizitorët të mund të hynë në xhami për lutje, ata duhet të aplikojnë dhe të rezervojnë një kohë dhe datë specifike përmes një aplikacioni online për të shmangur grumbullin e njerëzve dhe për të ruajtur distancën sociale.
Televizioni shtetëror të dielën ka shfaqur një pamje ku dukeshin më pak se 50 njerëz në Qabe në të njëjtën kohë dhe që lëviznin në distancë prej disa metrash nga njëri tjetri. Në kushte normale, xhamia do të mbushej me besimtarë nga e gjithë bota aq sa njerëzit do të ecnin krah për krah gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tyre, raporton AP.
Faza e dytë e lirimit të masave në Xhaminë e Madhe do të hyjë në fuqi më 18 tetor, duke lejuar deri në 15,000 haxhi dhe 40,000 banorë të vendit për lutje në kohë të caktuara.
Vizitorët myslimanë jashtë Arabisë Saudite mund të lejohen të fillojnë haxhillëkun nga 1 nëntori, ka thënë Ministria e Brendshme, teksa ka liruar edhe kufizimet për fluturimet ndërkombëtare.
Arabia Saudite ka lejuar një numër jashtëzakonisht të vogël të besimtarëve për haxh gjatë korrikut për shkak të shqetësimeve se mund të bëhej një shpërndarës i madh botëror i virusit. Vizitorët u zgjodhën pas aplikimit online dhe të gjithë ishin vendas.
Pavarësisht masave të hershme kufizuese që ka ndërmarrë Arabia Saudite, deri tash ka shënuar afër 336,000 raste pozitive, me 4,850 të vdekur.