Në orët kritike para takimit të shumëpritur mes Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Presidentit amerikan Donald Trump, diplomacia evropiane është vënë në lëvizje. Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka bërë një thirrje të fortë për ruajtjen e kohezionit perëndimor si kusht i panegociueshëm për paqen.
Kryeministrja Meloni, së bashku me liderë të tjerë të Bashkimit Evropian, zhvilloi pasditen e sotme një bisedë telefonike me Presidentin Zelensky, duke koordinuar qëndrimet përpara samitit në Mar-a-Lago.
Gjatë bisedës, Meloni theksoi se rreziku i fragmentimit të aleancës është dhurata më e madhe që mund t’i bëhet Moskës. Ajo përsëriti se është “e rëndësishme, tani më shumë se kurrë, ruajtja e unitetit të vizionit midis partnerëve evropianë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara”.
Sipas saj, ky koordinim trepalësh është çelësi për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm që po i afrohet vitit të katërt.
Presioni mbi Moskën
Mesazhi i Romës zyrtare ishte i qartë: Paqja nuk vjen nga dobësia, por nga forca e përbashkët. “Vetëm përmes këtij uniteti të fortë vizioni,” citohet të ketë thënë Meloni: “Rusia mund të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj dhe të inkurajohet të demonstrojë një gatishmëri të vërtetë për t’u ulur në tryezën e negociatave.”
Kjo ndërhyrje diplomatike vjen në një moment delikat, ku Evropa kërkon të sigurohet që çdo marrëveshje e mundshme midis Uashingtonit dhe Kievit të përfshijë interesat e sigurisë së kontinentit dhe të çojë drejt një “paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.

