Kryeministrja italiane Giorgia Meloni takimin e saj të parë institucional e ka zhvilluar me presidentin francez Emmanuel Macron i cili prej ditës së djeshme ndodhet në Romë, për një vizitë pune në Vatikan.
Ditën e sotme, pritet të takohet me Papa Franceskun e më pas Macron do të zhvillojë një drekë pune dhe me presidentin italian Sergio Mattarella.
Edhe pse në një takim informal, Presidenti Macron, në Romë është takuar me kreun e sapomandatuar të qeverisë italiane Giorgia Meloni.
Një takim i përzemërt e frytdhënës për rreth një orë, është komenti i publikuar nga zyra e kryeministres italiane, gjatë të cilit u diskutuan dosjerët kryesorë europianë, si nevojshmëria për të dhënë përgjigje të shpejta e të përbashkëta mbi koston e lartë të energjisë, mbështetja ndaj Ukrainës, menaxhimi i fluksit të emigrantëve, vështirësitë ekonomike.
“Kryeministrja italiane e presidenti francez, u dakordësuan mbi vullnetin e një bashkëpunimi ndaj sfidave të mëdha në nivel europian e në respekt të interesave kombëtare”, mbyllet njoftimi i Kryeministrisë italiane.
Po ashtu dhe presidenti francez pas takimit të mbrëmshëm ka postuar në Twitter komentin se “si europianë, si vend pranë, e si vend miq do të vazhdojmë punën e nisur. Do ia dalim së bashku me dialog e ambicie. Ja kemi detyrim brezave të rinj e popujve tanë. Takimi i parë në Romë me Giorgia Melonin, shkon në këtë drejtim”.