Menaxhimi i mbetjeve në Tiranë, ministri Jaupaj: Fokusi, riciklimi dhe diferencimi në burim

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Në Impiantin e Përpunimit të Mbetjeve në Tiranë puna vijon duke përfshirë të gjitha hallkat e menaxhimit modern të mbetjeve. Gjatë një inspektimi në terren, Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj u shpreh se sfida kryesore e vendit mbetet diferencimi i mbetjeve në burim, një proces pa të cilin nuk mund të ketë menaxhim të qëndrueshëm.

“Diferencimi i mbetjeve në burim është një nga sfidat më të rëndësishme që kemi në menaxhimin e mbetjeve. Nuk mjaftojnë vetëm investimet në pikat fundore; Ministria e Mjedisit është e angazhuar të mbështesë të gjitha bashkitë për krijimin e infrastrukturës së nevojshme. Diferencimi duhet prezantuar dhe zbatuar me sukses nga njësitë e qeverisjes vendore,” deklaroi ministri.

Ai shtoi se objektivi është rritja e konsiderueshme e mbetjeve të ndara dhe të riciklueshme, në mënyrë që materialet me vlerë të mund të shiten e të rikthehen në ekonomi, ndërsa sasia që përfundon në landfille të zvogëlohet maksimalisht.

“Shqipëria është një territor i vogël dhe jetëgjatësia e landfilleve është e kufizuar. Përmes diferencimit dhe kapsulimit të mbetjeve po bëhet një punë e mirë dhe ne do të vazhdojmë ta forcojmë këtë proces,” u shpreh Jaupaj.

Investimet e kryera po sjellin jo vetëm rritjen e kapaciteteve të përpunimit, por edhe rikualifikimin e peizazhit përreth, ndërsa synimi kryesor mbetet rritja e sasisë së mbetjeve të rikuperuara dhe të ricikluara, për të ulur volumin që përfundon në landfill.

Një rëndësi të veçantë po merr edhe programi i edukimit mjedisor me nxënës dhe studentë, i cili po nxit ndërgjegjësim të shtuar tek brezi i ri për ndarjen dhe riciklimin e mbetjeve. /RTSH

Share This Article