Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njofton se Guajana dhe Katari kanë përfunduar procedurat e brendshme ligjore për hyrjen në fuqi të marrëveshjes për heqjen e vizave me Shqipërinë.
Lajmi është i ditur në faqen zyrtare të MEPJ ku theksohet, “sa i përket marrëveshjes me Guajanën, qytetarët që zotërojnë pasaportë diplomatike, të shërbimit dhe ato të zakonshme do të përjashtohen nga kërkesat për viza hyrjeje, daljeje ose tranziti, për një periudhë prej 90 ditësh brenda 6 muajve. Për ata që planifikojnë të qëndrojnë përtej këtij afati, u kërkohet ta marrin vizën përkatëse përpara mbërritjes, ose nëse ndodhen në Guajanë të aplikojnë përpara skadimit të 90 ditëve”.
“Ndërkohë, në kuadër të marrëveshjes me Katarin, qytetarët shqiptarë që zotërojnë pasaportë të vlefshme diplomatike dhe qytetarët e Katarit me pasaportë të vlefshme diplomatike dhe speciale, mund të hyjnë në territorin e palës tjetër pa vizë dhe mund të qëndrojnë atje për 90 ditë. Ndërsa, qytetarët që dëshirojnë të hyjnë në territorin e secilës palë për qëllime pune, profesionale ose studimi, janë të detyruar të sigurojnë më parë vizë”, bën të ditur MEPJ.