Albania
Merkel: Do bisedojmë në Këshillin e BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe MV
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehu mbështetjen e saj për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas një takimi me homologun kroat, Andrej Plenkovic.
Në një konferencë shtypi me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, duke folur për samitin e Ballkanit Perëndimor në Zagreb, Angela Merkel tha ndër të tjera se “është shumë e rëndësishme që të ketë përparime në çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
Kancelarja gjermane u shpreh pro çeljes së negociatave me të dy vendet njëherazi, si me Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe me Shqipërinë: “Shqipëria ka plotësuar shumë kërkesa që i kishim vendosur. Sidomos procesin e Vettingut dhe tani ka ardhur koha që të çelen negociatat”, tha ajo ndër të tjera.
Merkel kujtoi po ashtu edhe se Maqedonia e Veriut e ka plotësuar kushtin që bllokonte deri tani çeljen e negociatave, arritjen e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.
“Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t’i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t’u bëhen”, tha kancelarja gjermane. Merkel tha se pas mosarritjes së një marrëveshjeje vitin e kaluar, tani do ta trajtojmë çështjen edhe në samitin e Këshillit të BE-së në Bruksel, qysh në muajin mars.
Vëzhgues në Berlin llogarisin se nuk do të ketë marrëveshje para samitit të Ballkanit Perëndimor në Zagreb, pra , në maj të këtij viti. Së fundmi, presidenti francez Emmanuel Macron, frenuesi kryesor i zgjerimit të BE-së, kishte dhënë sinjale zhbllokimi të qëndrimit të tij pas një takimi në Paris me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, (7.01.2020). Plenkoviç e përmendi në Berlin takimin e tij me Macronin, por nuk dha detaje.
Kroacia dhe më pas Gjermania kanë në dorë kryesinë e radhës së BE-së. Plenkoviç ndodhet në Berlin për të marrë pjesë në panairin e produkteve ushqimore, Java e Gjelbër, në edicionin e sivjetshëm të të cilit, Kroacia është vend partner./dw
Albania
Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.
“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.
Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.
Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.
“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.
Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.
Albania
VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
Një protestë ka ndodhur në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë për shkak të mungesës së ujit prej tre ditësh.Qytetarët janë futur në ambientet e teatrit dhe kanë ndërprerë gjithashtu një mbrëmje gala që zhvillohej aty.
Ata u futën me bidonë dhe pankarta në duar për të kërkuar rikthimin e ujit, ndërkohë që mbrëmja gala u ndërpre pasi protestuesit refuzuan të linin ambientet e teatrit.
Albania
“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, foli në lidhje me Krishtlindjet dhe mënyrën se si festoheshin ato në kohën e komunizmit, kur feja ishte e ndaluar.
Ai tregoi për një fenomen interesant që ndodhte në ato kohë në zonat e Shkodrës, ku shumë familje katolike shkonin te ato myslimane dhe u kërkonin që ato të përgatisnin ëmbëlsirat dhe gatimet për festën e Krishtlindjes, pasi vetë ato monitoroheshin.
“Shumë familje katolike shkonin te miqtë myslimanë dhe u thoshin që ëmbëlsirat dhe ushqimet tipike t’i përgatisnin ata dhe më pas, në mënyrë të fshehtë, një ose dy ditë para festës, familjet myslimane ua çonin familjeve katolike. Në këtë mënyrë festonin pa rënë në sy. Nuk mund të bënin vetë ëmbëlsira, pasi kjo ishte shenjë se po festoje dhe se nuk i kishe përqafuar mësimet e partisë dhe ateizmin, ku kisha konsiderohej armike e proletariatit. Ishte një natë ku shqiptarët provonin ato copëza aromash lirie, pasi festonin diçka që e kishin identitare, si lidhjen me Zotin. Në këto net, si Krishtlindjet, ishte hera e parë kur njeriu provonte të përtejmen, pavarësisht se unë vetë nuk e kam përjetuar”, tha ai.
-
Albania1 day agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania7 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania7 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK1 day agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania8 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK6 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota7 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova8 hours agoDalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind
