Kancelarja gjermane, Angela Merkel e konsideroi një hap të mirë përpara marrëveshjen e arritur me qeverinë amerikane për gazsjellësin ”Nord Stream 2”, i cili do të furnizojë vendin me gaz natyror rus.
Merkel e përshkroi marrëveshjen si ”një përpjekje për të vendosur disa kushte, të cilat duhet të zbatohen me përpikëri nga dy shtetet”.
Ka vite që ka pasur kritika ndaj ”Nord Stream 2” në SHBA, kështu që marrëveshja ka të ngjarë të hasë një kundërshtim të fortë në Kongres.
Shumë republikanë e kanë refuzuar projektin dhe kërkojnë sanksione, po ashtu edhe disa demokratë të presidentit Joe Biden.
Kritikët e shohin gazsjellësin si një projekt gjeopolitik rus që rrezikon sigurinë energjetike të Evropës.
Ata gjithashtu ankohen se ai mund të dëmtojë Ukrainën.
Kievi varet ekonomikisht nga miliarda euro të ardhura nga tranziti aktual i gazit rus përmes Ukrainës, para se të kërcënohej nga ”Nord Stream 2”.
”Është e rëndësishme që Ukraina të mbetej një vend tranzit i gazit dhe energjia nuk mund të përdoret për ta vendosur Ukrainën në një situatë të vështirë”, tha Merkel.
Merkel tha se ”Rusia duhet të jetë e qartë se energjia nuk duhet të përdoret si një armë”.