Një libanez mori peng për disa orë punonjësit dhe klientët në një bankë në Bejrut, pasi iu refuzua që ai të tërhiqte kursimet e tij prej rreth 200 mijë dollarësh.
Autoritetet thanë se 42-vjeçari Bassam al-Sheikh Hussein u fut në degën e bankës me një armë gjahu dhe një shishe me benzinë, duke kërcënuar se do t’i vinte flakën vetes nëse nuk do të lejohej të tërhiqte paratë e tij.
Mes krizës ekonomike, banka Federale e Libanit ka vendosur kufizime në sasinë e parave që klientët e saj mund të tërheqin nga kursimet e tyre.
Megjithatë, Hussein e refuzoi një “jo” si përgjigje, duke kërkuar që banka ta lejonte të tërhiqte paratë e tij për të paguar faturën e spitalit për babain e tij të sëmurë, ndërsa mori peng të pranishmit në bankë.
Pas disa orësh negociatash, ai pranoi pasditen e së enjtes një ofertë nga banka për të marrë një pjesë të kursimeve të tij, sipas mediave lokale ai pranoi të merrte 30 mijë dollar.
Me dhjetëra njerëz u mblodhën jashtë bankës në mbështetje të pengmarrësit, duke e vlerësuar atë si një hero për qëndrimin e tij ndaj bankave gjatë krizës financiare që ka përfshirë vendin.