Streha e betonit që u shemb vitin e kaluar në Novi Sad po rrëzon dhe qeverinë e Serbisë, si dhe presidentin Aleksandër Vuçiç.
Kështu të paktën lë të kuptohet një shkrim i publikuar në median prestigjioze britanike, Guardian. “Qeveria e Aleksandër Vuçiçit sot i ngjan një skeme piramidale politike, duke i dhënë legjitimitet përmes spektaklesh, duke vonuar rrëzimin e saj të pashmangshëm”, është fjalia e parë e opinionit të shkrimtarit Sërdjan Cvijiç.
Ai nxjerr në pah faktin se presidenti e ka kthyer betonin dhe asfaltin në simbol të pushtetit të tij, ndërsa nën sipërfaqe ka shembur institucionet dhe demokracinë. Protestat që pasuan tragjedinë janë bërë zëri i një kombi të lodhur nga mashtrimet, dhuna policore dhe frika. Serbia e Vuçiçit, që dikur mburrej me “stabilitet”, sot mbahet në këmbë vetëm nga represioni dhe aleancat me Rusinë.
“Qeveria e Vuçiçit përpiqet të duket sikur ulet në disa karrige gjeopolitike, duke balancuar midis Lindjes dhe Perëndimit, por në realitet ajo e drejton vendin vetëm në interes të presidentit – merr para nga Brukseli dhe urdhra nga Moska”, lexohet në shkrim.
Gjithashtu jepet alarmi se ndikimi rus në aparatin shtetëror në Beograd mund të rrezikojë të gjithë Ballkanin Perëndimor.




