Përballje e hapur mes Erdoganit dhe Merz për Gazën: Tension në konferencën për shtyp në Ankara
Vizita e parë zyrtare e kancelarit gjerman Friedrich Merz në Turqi u shënua nga një debat i drejtpërdrejtë me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan mbi konfliktin në Rripin e Gazës.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit në Ankara, dy liderët shfaqën qëndrime të kundërta për situatën në Lindjen e Mesme.
Ndërsa Merz theksoi të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë ndaj shtetit hebre, Erdogan e akuzoi Izraelin për “gjenocid” dhe e kritikoi ashpër për sulmet ndaj Gazës, pavarësisht armëpushimit në fuqi.
“Ata po e detyrojnë Gazën të nënshtrohet përmes urisë dhe dhunës,” deklaroi presidenti turk.
Merz, nga ana tjetër, argumentoi se Hamasi duhet të kishte liruar pengjet dhe të dorëzonte armët për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Ai shprehu shpresën që Turqia të përdorë ndikimin e saj për të çuar përpara fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit.
Përtej dallimeve mbi Gazën, kancelari gjerman theksoi rëndësinë e një partneriteti strategjik me Turqinë, duke e cilësuar marrëdhënien mes dy vendeve si “veçanërisht të gjerë dhe të thellë”.
Ai shprehu mbështetjen për aspiratat e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por nënvizoi se respektimi i sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut mbetet thelbësor.
Erdogan, ndërkohë, mbrojti veprimet e gjyqësorit turk ndaj opozitës, përfshirë arrestimin e kryebashkiakut të rrëzuar të Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili ndodhet në paraburgim që nga marsi.
Ai theksoi se drejtësia duhet të veprojë ndaj kujtdo që shkel ligjin, pavarësisht funksionit që mban.
Vizita e Merz në Turqi kishte për qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, përfshirë rritjen e vëllimit tregtar dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Megjithatë, përplasja publike për Gazën dhe çështjet e brendshme turke treguan se sfidat në këtë marrëdhënie mbeten të pranishme.

