Kancelari gjerman Friedrich Merz u nis drejt Lindjes së Mesme, ku pritet të zhvillojë vizitën e tij të parë si kancelar në Izrael, me synim rikonfirmimin e marrëdhënieve tradicionale mes dy vendeve, të cilat u tronditën gjatë luftës në Rripin e Gazës. Pas një ndalese në Jordani, kancelari gjerman pritet të takohet të dielën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu. Pjesë e axhendës së qëndrimit të tij në Izrael është edhe një vizitë në memorialin për Holokaustin, Yad Vashem.
Për shkak të pjesës së errët të historisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku regjimi i Rajhut të Tretë vrau rreth 6 milionë hebrenj, udhëheqësit gjermanë mbështetjen për Izraelin e cilësojnë si gur themeli i politikës së jashtme të vendit. Por marrëdhëniet mes dy vendeve u lëkundën gjatë luftës në Gaza, kur Merz, i cili mori pushtetin në maj të këtij viti, kritikoi fushatën ushtarake të Izraelit ndaj enklavës palestineze, si pasojë e së cilës kanë humbur jetën dhjetëra mijëra palestinezë.
Në muajin gusht, ai kufizoi shitjen e armëve që përdoreshin në Gaza, kufizime që u hoqën kur në enklavën palestineze u vendos një armëpushim i mbështetur nga SHBA. Së fundmi, Merz i ofroi Izraelit mbështetje të plotë pasi Unioni Europian i Transmetuesve Publikë ishte në proces të marrjes së një vendimi për përfshirjen ose jo të Izraelit në edicionin e vitit të ardhshëm të Festivalit Europian të Këngës. Mundësinë e përjashtimit të Izraelit, Merz e quajti skandaloze.
EBU vendosi të enjten pro pjesëmarrjes së Izraelit, çka u mirëprit nga Berlini, por ndërkohë çoi në vendimin e Spanjës, Holandës, Sllovenisë dhe Irlandës për të bojkotuar festivalin.
Ndërkohë, para se të largohej nga Berlini, Merz zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, ku sipas zëdhënësit të Merz, nënvizoi mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete, por ndërkohë i kërkoi Abbasit që të ndërmerrte sa më shpejt reformat për të cilat ka nevojë autoriteti, në mënyrë që ky i fundit të luajë një rol konstruktiv pas përfundimit të luftës në Rripin e Gazës.

