Friedrich Merz zhvillon sot vizitën e parë zyrtare në Londër si kancelar i Gjermanisë për të nënshkruar një traktat të madh bashkëpunimi miqësor me kryeministrin britanik, Keir Starmer, si pjesë e shtytjes më të madhe për të rivendosur lidhjet e Bashkimit Europian me Britaninë e Madhe, raporton Reuters.
Qëndrimi njëditor në Britani pason vizitën treditore të presidentit francez, Emmanuel Macron, duke sinjalizuar kështu bashkëpunim më të madh ndërmjet tri fuqive më të mëdha të Europës në një kohë kërcënimesh ndaj kontinentit dhe paqartësisë në raport me SHBA-në aleate.
Europa është konfrontuar me tarifat të reja amerikane pas kthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, si dhe me mëdyshje për zotimin amerikan për të mbrojtur aleatët europianë, përfshirë Ukrainën kundrejt pushtimit nga Rusia.
“Kjo marrëveshje vjen në kohën kur, si europianë, ne jemi sfiduar veçanërisht në aspektet e politikës së sigurisë”, ka deklaruar një zyrtar gjermane para nisjes së delegacionit drejt Londrës.
Gjermania ka traktate miqësie vetëm me një grusht vendesh, si Franca, duke simbolizuar kështu afërsinë e raporteve të tyre.
Pothuajse një dekadë pas Brexitit, traktati përfshin një klauzolë mbi ndihmën e ndërsjellë e cila, “në dritën e luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar zyrtari.
Ajo bazohet në një marrëveshje mbrojtjeje të rënë të arritur vjet e që përfshinte zhvillimin e përbashkët të armëve sulmuese me rreze të gjatë veprimi, dhe bëhet pasi Franca dhe Britania ranë dakord javën e kaluar për të përforcuar bashkëpunimin mbi arsenalet e tyre përkatëse bërthamore.
Si pjesë e njoftimit, Britania dhe Gjermania do të zotohen të enjten të “ndjekin fushata të përbashkëta eksporti” për të marrë porosi nga vendet e tjera për pajisjet që prodhojnë së bashku, si avioni “Typhoon Eurofighter” dhe automjeti i blinduar “Boxer”.
Kjo mund të ndihmojë rritjen e shitjeve dhe përfaqëson ndryshim të rëndësishëm nga dhjetë vitet e mëparshme, kur Gjermania ua bllokoi Arabisë Saudite dhe Turqisë blerjen e “Typhoonëve””.