Mes 185 vendeve edhe Shqipëria, raporti i OBSH: Shtatë milionë raste me kancer në vit janë të parandalueshme, ja çfarë duhen shmangur

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Organizata Botërore e Shëndetit në raportin e publikuar një ditë më parë (4 shkurt) thekson se gati shtatë milionë raste të kancerit mund të parandalohen çdo vit në mbarë botën sipas analizës së parë gjithëpërfshirëse ndërkombëtare të faktorëve që çojnë në sëmundje.

Duke përdorur të dhënat e incidencës së kancerit nga viti 2022 dhe të dhënat e faktorëve të rrezikut nga një dekadë më parë, në 185 vende, përfshi këtu edhe Shqipërinë, studiuesit arritën në përfundimin se tre kontribuesit më të mëdhenj në më shumë se 18 milionë raste të kancerit në të gjithë botën ishin pirja e duhanit, e cila shkaktoi 3.3 milion raste të kancerit; infeksione, të cilat shkaktuan 2.3 milion raste të kancerit; si dhe konsumimi i alkoolit, i cili çoi në 700,000 raste të kancerit.

Sipas raportit të shkencëtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vlerësohet se 37% e kancereve shkaktohen nga infeksionet, zgjedhjet e stilit të jetës dhe ndotësit mjedisorë që mund të parandalohen. Ata thanë se raporti i tyre nxjerr në pah një “mundësi të fuqishme” për të transformuar jetën e miliona njerëzve.

Kanceret e parandalueshme përfshijnë, ndër të tjera, kancerin e qafës së mitrës të shkaktuar nga papillomavirusi njerëzor (HPV) dhe që mund të parandalohet me anë të vaksinimit, si dhe një numër tumoresh të lidhura me pirjen e duhanit. Në të njëjtën kohë, ekspertët theksojnë se një pjesë e kancereve mbetet e pashmangshme, qoftë për shkak të dëmtimit që grumbullohet në ADN me moshën, qoftë për shkak të mutacioneve gjenetike të trashëguara që rrisin rrezikun e zhvillimit të sëmundjes.

Studiuesja Dr. Isabelle Soerjomataram nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), e cila është pjesë e OBSH-së, vëren se shumë njerëz habiten kur mësojnë se pothuajse katër në dhjetë raste të kancerit janë të parandalueshme, pasi “kjo është një përqindje e konsiderueshme”.

30 faktorë të parandalueshëm

Analiza e IARC-së shqyrtoi 30 faktorë rreziku të parandalueshëm që dihet se rrisin rrezikun e kancerit. Këta përfshijnë pirjen e duhanit dhe rrezatimin UV, të cilët shkaktojnë dëmtime të drejtpërdrejta në ADN; obezitetin dhe pasivitetin fizik, të cilët ndikojnë në inflamacion dhe hormonet në trup; dhe ndotjen e ajrit, e cila mund të aktivizojë qelizat kancerogjene të fjetura. Gjithashtu, ajo shqyrtoi 9 infeksione të lidhura me kancerin, duke përfshirë HPV-në, viruset e hepatitit që çojnë në kancer të mëlçisë dhe bakterin Helicobacter pylori, i cili është i lidhur me kancerin e stomakut.

Dallimet sipas gjinisë dhe rajonit

Megjithatë, pamja ndryshon ndjeshëm sipas gjinisë dhe rajonit. 45% e kancereve tek burrat vlerësohet të jenë të parandalueshme, krahasuar me 30% tek gratë, një ndryshim që i atribuohet pjesërisht niveleve më të larta të pirjes së duhanit tek burrat. Tek gratë që jetojnë në Evropë, shkaqet kryesore të parandalueshme janë pirja e duhanit, infeksionet dhe mbipesha. Në Afrikën Sub-Sahariane, infeksionet janë përgjegjëse për pothuajse 80% të kancereve të parandalueshme tek gratë, duke treguar se politikat parandaluese duhet të përshtaten me specifikat e secilit rajon.

Studimi tregon se kanceri i mushkërive, stomakut dhe qafës së mitrës përbën pothuajse gjysmën e të gjitha kancereve të parandalueshme në mbarë botën. Dr. Andre Ilbaëi, kreu i programeve të kontrollit të kancerit në OBSH, e quajti studimin “lajm të mirë”, pasi tregon se masa efektive si politikat kundër pirjes së duhanit dhe vaksinat kundër HPV janë të disponueshme. “Përqindja e kancereve që mund të parandalohen mund të ndryshojë me kalimin e kohës dhe qëllimi ynë është ta afrojmë atë sa më shumë me zero të jetë e mundur”, tha ai.

Share This Article