Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi mes debatesh tre rregullore, mes të cilave edhe atë të uljes së ngarkesës në punë, ku veç prokurorëve që kanë vetë probleme shëndetësore mund të bëjnë kërkesë edhe ata që kanë nën kujdestari familjarë të sëmurë, përfshi edhe gjyshërit. Ndërkohë, KLP tërhoqi nga rendi i ditës një projekt-akt për komunikimin me median.
Shqyrtimi i disa projekt-akteve për disa rregullore në mbledhjen plenare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP të martën më 19 shtator, u zhvillua me debate mes anëtarëve të këtij këshilli. Me 10 votat e anëtarëve të pranishëm në momentin e votimit u miratua projekt-akti për rregulloren “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Anëtarja Ledina Riza deklaroi se duhej që rregullorja të ishte diskutuar më parë mes anëtarëve, me qëllim që të dakordësohej për versionin final. Edhe anëtarja Arta Mandro kërkoi që të kryhen takime mes gjithë anëtarëve për të diskutuar në mënyrë informale projekt-aktet e rëndësishme dhe ato për rregulloret, me qëllim që të mos mbeteshin të izoluara tek komisionet. Anëtari Bujar Sheshi kërkoi që vërejtjet të paraqiten përpara se rregulloret të vijnë për miratim në këshill.
Një tjetër projekt-akt që kishte të bënte me “Miratimin e rregullores për komunikimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me median”, u tërhoq nga grupi i punës. Kryetarja e grupit të punës, këshilltarja Nurihan Seiti deklaroi se e kishin lënë që të diskutonin paraprakisht me mediet. “Ta lëmë për një ditë tjetër”, tha ajo dhe të njëjtin mendim shprehu kryetari këshillit, Alfred Balla, i cili kërkoi të bëhej sa më shpejtë një gjë e tillë.
Në vijim, Riza diskutoi mbi projekt-aktin për rregulloren “Për caktimin e rregullave dhe procedurave mbi uljen e ngarkesës së punës për prokurorët”. Ajo renditi edhe rrethanat në të cilat duhej të gjendej një prokuror për të kërkuar ulje të ngarkesës në punë, konkretisht për arsye shëndetësore të vetë magjistratit apo të familjarëve, prindërve e deri tek gjyshërit, nëse vërtetohej me dokumentacion nevoja e kujdestarisë për ata.
Tjetër shkak ishte vijimi studimeve pas shkollës së magjistraturës apo angazhimi në detyra të tjera veç asaj të prokuorit.
“Do të krijohet amulli se do marrim gjyshen nën kujdestari”, deklaroi anëtari Sokol Stojani.
Nga sa u diskutua në mbledhje u mësua se, ulja e ngarkesës së punës do të përcaktohet bazuar në përllogaritjen e ngarkesës mesatare të prokurorisë ku ushtron funksionin kërkuesi, pasi ai të ketë provuar me dokumentacion ligjor arsyen ku e bazon kërkesën për ulje të ngarkesës, si dhe se në rast të pranimit të një kërkese të tillë, pagesa do të jetë në masën 75%.
Anëtarja Esmeralda Keshi solli në vëmendje se legjislacioni nuk lejon uljen e orëve të punës. Sipas saj, është e nevojshme që fillimisht të propozohen ndryshime në dispozitat ligjore, që në uljen e ngarkesës së punës, të parashikohet edhe pakësimi i orarit.
“Ne nuk e ulim dot orarin e punës se ligji nuk na jep të drejtën për të ulur kohën fizike të punës”, pohoi Keshi. Sërish Riza nënvizoi se është e nevojshme që për rregulloret të ketë diskutime mes anëtarëve paraprakisht, përpara se të paraqiten për miratim.
Anëtari Bujar Sheshi propozoi heqjen nga projekt-akti i rregullores të nenit për uljen e kohës së punës. Megjithëse u hodh për votim që të mos miratohej kjo rregullore, me katër votat e anëtarëve që ndan këtë mendim nuk u miratua propozimi i Keshit. KLP vendosi me 7 vota të miratojë në tërësi rregulloren për uljen e ngarkesës në punë të prokurorëve. Gjatë votimit nen për nen, u miratua edhe propozimi i Sheshit për heqjen e përcaktimit lidhur me uljen e orëve të punës, me argumentin se bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Mes debatesh u miratua edhe rregullorja “Mbi dhënien e lejeve të papaguara”. Anëtarët u ndanë mes tyre lidhur me përcaktimin e autoritetit që do të japë lejen e papaguar për drejtuesit e prokurorive. Në përfundim u miratua me 6 vota pro propozimi që parashikon që lejet e drejtuesve të prokurorive të jepen nga Prokurori i Përgjithshëm, në cilësinë e prokurorit më të lartë. Pakica e anëtarëve vlerësuan se duhej të ishte këshilli që të jepte lejen, duke argumentuar se Prokurori i Përgjithshëm është prokuror më i lartë vetëm proceduralisht dhe jo në aspektin funksional dhe organizativ të zyrave të prokurorisë, kompetenca që sipas tyre i ka këshilli.
Në mbledhjen e të martës u miratuan edhe gjashtë projekt-akt të tjera nga 14 që ishin parashikuar në rendin e ditës.