Sulmuesi i Senegalit, Sadio Mane, ka thënë se Mohamed Salahu i Egjiptit do të rikthehet edhe më i fuqishëm, pasi ai u mposht pikërisht nga Mane në finale të Kupës së Kombeve të Afrikës të dielën.
Senegali e mundi Egjiptin 4:2 në penallti, për ta fituar Kupën e Kombeve të Afrikës për herë të parë në historinë e vet të dielën në Kamerun.
Ndeshja në kohë të rregullt mbaroi pa gola 0:0 dhe u nevojitën vazhdimet dhe pastaj penalltitë për ta përcaktuar fituesin.
Portieri i Egjiptit Gabaski e priti penalltinë e sulmuesit të Liverpoolit gjatë kohës së rregullt, por Mane i ruajti nervat dhe shënoi gjatë penalltive kur kishte më shumë rëndësi.
Portieri i Chelseat Edouard Mendy e priti penalltinë e Mohanad Lasheen për t’i dhënë Manes mundësi ta fitojë trofeun për Senegalin në Yaounde Olembe Stadium.
Në një ndeshje të cilësuar si beteja mes sulmuesve të Liverpoolit, kapiteni i Egjiptit Mohamed Salah dhe Mane i Senegalit, ishte ky i fundit që triumfoi.
I pyetur se çfarë mesazhi i dërgoi Salahut pas disfatës, Mane tha: “Vetëm i thashë se ai është kampion dhe se ai e di se kjo disfatë sot nuk do ta shqetësojë atë shumë, sepse kjo nuk është hera e parë dhe se është pjesë e lojës”.
“Pra, mund të ndodhë dhe nëse ndodh, e di se ai është shumë i fortë dhe do të rikthehet më i fuqishëm”, shtoi ai.
Senegali u shpall kampion i Afrikës më në fund, pas dy dështimeve paraprake në finale.