Që dicka kishte ndryshuar në mënyrë radikale gjatë bisedës Zhang-Conte, që solli konfirmimin e teknikut, ishte e qartë për të gjithë. Por që të ishte kaq vendimtare në merkato, kjo nuk mendohej. Inter synon tashmë emra me peshë, duke i bërë tifozët të ëndërrojnë. E kështu, pa hequr dorë nga Vidal, direktivat e Contes e shtyjnë Marotta drejt Londrës për të negociuar për Kante.
Lista e shitjeve e zikaltërve është e gjatë: Skriniar (për një ofertë të lartë), Brozovic, Gagliardini, Candreva (e kërkon Napoli) e deri tek Eriksen (por këtu duhet një ofertë e parefuzueshme), pa harruar kontratat e parinovuara (Borja Valero). Lojtarë që garantojnë arkëtime të rëndësishme në klub, e pas të cilave do të nisin përforcimet duke filluar nga mesfusha, reparti që për shumë arsye, Conte e konsideron më të dobëtin.
Emrat e parë në listë janë dy: Arturo Vidal, që është i preferuari i teknikut e Barcellona ka vendosur ta largojë, e N’Golo Kanté, tjetër lojtar që Conte e konsideron unik e për të cilin Chelsea është i gatshëm të ulet në negociata. Për kilenin, pa llogaritur rrogën, problemet mund të jenë relative, për të dytin pengesa Chelsea nuk është e lehtë të kapërcehet. Blues janë të gatshëm ta lënë të lirë, por duan 50 milionë. Të njëjtën shifër kërkon edhe Tottenham për Ndombele. Sido të shkojë, duket se Inter do të ketë një mesfushë krejt të re për edicionin e ri, nëse llogaritet edhe Hakimi që ka firmosur e Kolarov që është gati të firmosë.

