Nga: Phil Gramm dhe Mike Solon / The Wall Street Journal
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Historia fsheh urtësinë prej atyre që shpërfillin mësimet e saj. Në këtë muaj, dyzet vjet më parë, politikat fiskale të Presidentit Ronald Reagan dhe politikat monetare të kryetarit të Rezervës Federale, Paul Volcker, ia dolën ta thyejnë inflacionin më shkatërrues të shekullit XX, duke i prirë zgjerimit ekonomik që efektivisht zgjati për një çerek shekulli dhe që – deri tash – e zhduku inflacionin.
Rritja e Inflacionit të Madh nisi në vitin 1966, atëherë kur Kongresi – me nxitjen e administratës së [Lyndon B.] Johnsonit (LBJ) – shtoi fondet si për luftën në Vietnam ashtu edhe për luftën kundër varfërisë. Kjo politikë e “armës dhe gjalpit” shkaktoi një dallgë dyshifrore në shpenzimet federale. Në vitin 1973, inflacioni shkoi në 8.7 për qind dhe do të jetë mesatarisht në 9.2 për qind për nëntë vjet – duke e tejkaluar me të madhe inflacionin mesatar prej 3.3 për qind mes viteve 1946 dhe 1972 dhe prej 2.7 për qind nga 1982 e deri më 2019. Gjatë Inflacionit të Madh të viteve 1973-‘81, edhe pas përshtatjeve të bëra për inflacion, të ardhurat federale u rritën mesatarisht me 4.1 për qind në vit. Pjesa e ekonomisë së marrë në taksa prej qeverisë federale u rrit me gati një të tetën – nga 17 për qind në 19.1 për qind.
Është e habitshme kjo, sepse gjatë asaj periudhe Kongresi nuk votoi kurrë për t’i rritur taksat mbi të ardhurat. Në fakt, pas shtesës së përkohshme tatimore të LBJ-së në vitin 1968, gjë që nuk e ngadalësoi inflacionin, më 1971, 1975, 1976 dhe më 1977 Kongresi i ka ulur taksat federale mbi të ardhurat. Pra, si u rritën taksat në këtë ritëm rekord? Në mënyrë të fshehtë dhe automatikisht përmes inflacionit dhe rritjes së tatimeve në të ardhura. Siç shpjegoi Zyra e Buxhetit të Kongresit në vitin 1980, për normën e inflacionit të vitit 1979, “tatimpaguesit me dy persona vartës … që fitojnë 15 mijë dollarë” – rreth 57 mijë dollarë në dollarë më 2022 – “me plotësimin e deklaratës për kthim taksash, në taksat federale do të paguanin 294 dollarë më shumë mbi të ardhurat – një rritje prej 23,8 për qind në detyrimin tatimor – nëse të ardhurat bruto të caktuara të familjes dhe zbritjet e përshtatura rriteshin me 13,3 për qind”. Me 16 norma të taksave dhe 9 për qind inflacion gjatë periudhës, norma i rriti taksat si pjesë e produktit të brendshëm bruto me 2.1 për qind, gjë që duket e parëndësishme me rritjet e mëvonshme të kombinuara të taksave nga [Bill] Clintoni dhe [Barack] Obama.
Por, rritjet rekorde të taksave nuk mund ta mbanin ritmin me shpenzimet. Shpenzimet reale vjetore federale u rritën me 4.3 për qind, mbrojtja ra me 0.1 për qind, dhe shpenzimet sociale shpërthyen me 6.3 për qind. Si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), shpenzimet totale u rritën me 2.6 për qind, mbrojtja ra me 1.5 për qind, dhe shpenzimet sociale u rritën me 4.1 për qind – pothuajse një e treta e rritjes në pjesën e të ardhurave kombëtare që harxhohen nga qeveria federale për shpenzimet sociale. Krahasojeni atë me Marrëveshjen e Re: Shpenzimet sociale u rritën me dy përqindëshin deri atëherë të padëgjuar të PBB-së nga viti 1933 deri më 1939.
Armët dhe gjalpi e ndezën kërkesën e tepërt dhe inflacionin më 1966, por gjalpi edhe më shumë e ka nxitur nevojën e tepërt dhe inflacionin. Politika monetare i ka përshtatur këto teprica fiskale; dhe, i kanë përkeqësuar ato nga ndërprerjet e furnizimit, përfshirë ato të shkaktuara nga embargoja gjashtëmujore arabe e naftës më 1973, si dhe mbyllja pandemike më 2020. Por, shpenzimet federale kanë nxitur inflacionin në Amerikën e pasluftës.
Kur [Ronald ]Reagani merr detyrën në janar 1981, norma e inflacionit ishte 12.5 për qind. Barra tatimore dhe niveli i shpenzimeve federale ishin që të dyja në nivelet më të larta të pasluftës, përkatësisht në 19.1 për qind dhe 21.6 për qind të PBB-së. Deri në fund të Presidencës Reagan, rritja reale mesatare vjetore e shpenzimeve federale kishte rënë në 2.5 për qind nga 4.3 për qind dhe rritja e shpenzimeve sociale në 1.9 për qind nga 6.3 për qind. Rritja reale vjetore e shpenzimeve të mbrojtjes ishte rritur në 4.3 për qind nga minus 0.1 për qind. Si pjesë e ekonomisë, shpenzimet totale federale kishin rënë me 1 për qind dhe shpenzimet sociale me 1.5 për qind; shpenzimet e mbrojtjes ishin rritur me 0.5 për qind.
Reagani e arriti këtë kufizim shpenzimesh gjatë një recesioni të thellë, që e gjeti papunësinë në rritjen prej 10 për qind. Shtrëngimi i Rezervës Federale i dërgoi normat kryesore të interesit në 20.5 për qind në vitin 1981. As Reagani dhe as Volckeri nuk u zmbrapsën kurrë. Përveç reduktimit dramatik të rritjes reale të shpenzimeve qeveritare dhe të kërkesës së tepërt, Reagani i uli taksat duke krijuar stimuj për të punuar, për të kursyer dhe për të investuar. Duke filluar nga viti 1985, Kongresi i indeksoi normat e caktuara të tatimit mbi të ardhurat individuale për inflacionin. Reagani punoi mbi përpjekjet transformuese të Jimmy Carterit për derregullim, duke kompletuar dekontrollin e çmimeve të naftës dhe të gazit dhe duke lehtësuar më tej barrën rregullatore në gjithë ekonominë. Këto përpjekje ulën kostot e lëvizjes së njerëzve dhe të produkteve me 50 për qind dhe i dhanë Amerikës zinxhirin më efikas të furnizimit në botë.
Në një ndërthurje me shtrëngimet monetare të rezervave federale, me uljen e shpenzimeve, të taksave dhe të barrës rregullatore, inflacioni ka rënë me shpejtësi. Deri në vjeshtën e vitit 1982, inflacioni ishte përgjysmuar dhe në fund të mandatit të parë të Reganit u reduktua në nivele normale – ku mbeti deri në vitet 2020.
Me rënien e madhe të normës së inflacionit, nuk u arrit të materializohet rritja e të ardhurave të taksuara të cilat Zyra e Buxhetit të Kongresit (CBO) kishte supozuar se do të gjeneroheshin në vitet 1982-1984. Vetëm rënia e inflacionit reduktoi rritjen e taksave me 108 miliardë dollarë për ato tre vjet. Recesionet e dyfishta të viteve 1980-82 i ulën të ardhurat me 184 miliardë dollarë të tjerë. Sipas CBO-së, rënia e inflacionit dhe recesionet e viteve 1980-82 i kushtuan Thesarit 292 miliardë dollarë, më shumë sesa vlerësimi statik i kostos prej 280 miliardë dollarëve për shkurtimet e taksave të Reganit gjatë viteve 1982-84. Ulja e taksave të Reganit reduktoi barrën tatimore nga 19.1 për qind e PBB-së në 17.8 për qind në tetë vjet, duke çuar në drejtim të kundërt 68.5 përqindëshin e rritjes nëntëvjeçare të normave të taksave. Në vitin 1984, inflacioni i shpejtë kishte mbaruar, rritja reale e PBB-së arriti në 7.2 për qind dhe ishte “Mëngjesi në Amerikë”. Rimëkëmbja ekonomike zgjati efektivisht për 25 vjet, deri në recesionin e madh të viteve 2007-‘9.
Gjatë pandemisë shpërthyen shpenzimet totale federale pasi qeveria për dy vjet shpenzoi atë që kishte shpenzuar gjatë tri viteve para pandemisë. Rezerva Federale e përshtati këtë shpërthim fiskal duke blerë ose kompensuar tri të katërtat e gjithë borxhit të krijuar nga Qeveria. Oferta e parasë u zgjerua me ritmin më të shpejtë në historinë e pasluftës.
Me inflacionin që shkon në 9.1 për qind dhe me rritje negative për dy tremujorët e fundit, Presidenti [Joe] Biden vazhdon të bëjë presion për rritje masive të taksave dhe të shpenzimeve. Edhe pse kanë përfunduar shpenzimet stimuluese, buxheti i Bidenit për vitin fiskal 2023 kërkon 30.2 për qind më shumë shpenzime se niveli nominal para pandemisë më 2019. Me urdhrat ekzekutive, emërimet në trupat publikë dhe veprimet antitrust, z. Biden ka imponuar barrën më të rëndë rregullatore të vendit në kohë paqeje. Ai vazhdon të godas industrinë e madhe të naftës, bankat e mëdha, teknologjinë e rëndësishme dhe shitësit e mëdhenj ushqimorë, si dhe vazhdon të kërkojë rregullimin e çmimeve – të gjitha ato politikat që kanë dështuar në vitet 1970.
Z. Biden po i ndjek politikat që janë krejtësisht të kundërta me politikat që Regani i përdori për ta ndaluar inflacionin dhe për ta ringjallur ekonominë. Z. Biden mund të mendojë se mund të taksojë, të shpenzojë dhe të rregullojë Amerikën për të dalë nga inflacioni dhe nga recesioni. Historia ndryshe na sugjeron.