Argjentina ia ka dalë ta fitojë pas 28 vjetësh një trofe, atë të Kupës së Amerikës, duke mposhtur në finale Brazilin me rezultat minimal 1:0.
Pavarësisht që Leo Messi dhe bashkëlojtarët e tij nuk patën natën më të mirë, ia dolën të triumfonin përballë një Brazili dominues, por jo konkretizues. Për Messin, ky ishte trofeu i parë në karrierë me Argjentinën pas më shumë se 15 vjetëve, ndërsa mori çmimin edhe si lojtari më i mirë i kësaj gare.
‘’Albiçelestët’’ triumfuan me golin e Angel di Maria në minutën e 22-të, i cili shfrytëzoi mjaft mirë asistimin e De Paul.
Brazili pavarësisht përpjekjeve nuk arriti të barazonte deri në fund.
Për Argjentinën ky është trofeu i 15-të i Kupës së Amerikës dhe ndan vendin e parë me më së shumti trofe të këtij turneu me Uruguain. Brazili është i treti me nëntë kupa.

