Presidenti Ilir Meta e cilësoi sot një inskenim ngjarjen në Elbasan, ku gjatë Ditës së Verës pati përplasje mes mbështetësve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste.
I ftuar në një studio televizive, Meta tha se “detyra e qeverisë, e cila ka të gjitha institucionet qendrore dhe vendore, ishte të mos krijonte përplasje”.
“Kjo është një betejë për jetë a vdekje për 100 vitet që do të vijnë. Zero interes se kush fiton, interesi im është vetëm procesi zgjedhor”, deklaroi Meta duke iu referuar zgjedhjeve të 25 prillit.
“Mua nuk më intereson se kush fiton, po meqë kemi një ballafaqim, duhet të kemi parasysh që nuk është një ballafaqim midis Metës dhe Edi Ramës, siç do ai ta interpretojë. Ky është një ballafaqim midis instalimit të autokracisë dhe kleptomanisë në këtë vend në shërbim të interesave të të tjerëve, Rama është thjesht një peng i tyre”, tha Meta.
“Më 25 prill gjithë projektorët e botës do të jenë në Shqipëri. Ne nuk do të lejojmë akte të jashtëligjshme dhe dhune të ndodhin në vend. Presidenti ka një plan të qartë për mbrojtjen e votës dhe populli i Shqipërisë do fitojë me të”, vijoi Meta.
Plani im, tha Meta, do jetë për identifikimin e kandidatëve për krimet e zgjedhjeve. “Do kemi çdo gjë transparente dhe të monitoruar”, vijoi ai.
“Do informoj publikun, për çdo manipulim që do bëhet në zgjedhjet e 25 prillit. Në fund do fitojë plani i Presidentit”, tha ai.
“Unë kam bërë dikur një marrëveshje me kryetarin e Partisë Socialiste për Shqipërinë europiane, të cilën është treguar i kujdesshëm që ta zbatojë dy vjet, duke qenë se e dinte që pa koalicionin me LSI-në ai i kishte të humbura të gjitha bashkitë.
Kushti ka qenë votimi i tre ligjeve. Tani e kam bërë të qartë: Kurrë më marrëveshje politike me Edi Ramën”, tha Meta.
Meta u ndal edhe tek akuzat ndaj qeverisë. “Prej vitesh Ministria e Drejtësisë, nuk i jep Presidentit asnjë informacion që kërkon, për çështjen e pronave të komuniteteve fetare. Ministria e Mbrojtjes, nuk i jep asnjë informacion Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, për pronat e Ushtrisë”, deklaroi Meta.
Sipas tij, për çdo pronë që ata kanë dhënë në mënyrë të paligjshme do të mbajnë përgjegjësi. “Ata që i kanë dhënë janë kandidatë për deputet të mazhorancës”, tha ai.