Presidenti Iir Meta çmoi sot me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” themeluesin e arkeologjisë shqiptare, Hasan Ceka (pas vdekjes) si dhe arkeologun e shquar francez, Leon Rey.
Gjithashtu Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Jean Gabriel Rey. “Me mirënjohje për ruajtjen e trashëgimisë së patjetërsueshme shkencore të arkivit të pasur të gërmimeve dhe zbulimeve të rralla arkeologjike të Leon Reyt në Apoloni, si dhe me vlerësim për pasurimin dhe thellimin e mëtejshëm të miqësisë francezo-shqiptare. Në vlerësim të meritave si autor i librit ‘Perënditë kishin të drejtë’ dhe si bashkautor i filmit me të njëjtin titull, që përbëjnë dokumente të çmuara të përkushtimit të Leon Reyt ndaj Apolonisë dhe qytetërimit antik të vendit tonë”, thuhet në motivacionin që shoqëron këtë titull.
“Të tre këto personalitete i lidh ngushtësisht një qendër e famshme arkeologjike si Apolonia, po aq sa i lidh edhe dashuria e përbashkët për arkeologjinë dhe për Shqipërinë, në këtë vend ku u zhvilluan aspiratat, por edhe talentet e tyre. Leon Rey dhe Hasan Ceka janë dy emra që përbëjnë një unitet, po aq sa edhe një vazhdimësi. Leon Rey, si nismëtari i gërmimeve arkeologjike në Apoloni dhe zbuluesi i monumenteve kryesore, që përbëjnë sot qendrën e Parkut Arkeologjik të Apolonisë”, tha Meta.
Ai vlerësoi se si rrjedhim i punës 15-vjeçare të Leon Reyt, ne trashëgojmë sot, qendrën monumentale të Apollonisë, qindra objekte arkeologjike të zbuluara prej tij, pesë vëllimet e botuara në vitet 1925-1935, librin ‘Guide d’Albanie’, si i pari libër i këtij lloji për Shqipërinë, botuar më 1930 dhe dhjetra artikuj në revistat e kohës, që synonin të promovonin një imazh të ri kulturor të Shqipërisë.
“Edhe ndërtesa historike e Qeverisë së Vlorës, e kthyer prej tij në Muzeun e parë arkeologjik të Shqipërisë dhe e arritur në ditët tona si Muzeu i Pavarësisë, i detyrohet kujdesit dhe largpamësisë së Leon Reyt. Jean Gabriel Rey, i biri i Leon Reyt, mbajti të gjallë përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shqipërisë të babait dhe të veprave të tij, duke vlerësuar thellësisht mirënjohjen shqiptare. Tregues i këtij vlerësimi ishte sjellja dhe dhurimi nga ana e Jean Gabrielit të arkivit apolonian të Leon Reyt për Arkivin e Shtetit në Tiranë”, tha Meta, ndërsa vlerësoi angazhimin gjysmëshekullor të Jean Gabriel Reyt në ruajtjen e miqësisë franko-shqiptare.
Po ashtu, Meta vlerësoi se “si themelues i arkeologjisë shqiptare, Hasan Ceka kujtohet edhe sot si arkeologu më i shquar shqiptar edhe në planin ndërkombëtar. “Shkenca shqiptare e arkeologjisë i detyrohet shumë Hasan Cekës për fillimet e studimit shkencor të prehistorisë, antikitetit ilir dhe vazhdimësisë ilire- shqiptare. Ai ishte personaliteti shkencor dhe njëkohësisht njerëzor, rreth të cilit u konsolidua dhe u frymëzua bërthama e arkeologëve të shquar shqiptarë”, tha Meta./ATSH/