Presidenti Ilir Meta dekretoi pasditen e sotme emërimin e Marsida Xhaferllarit si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese.
“Pasi administrova Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese (vakancë e plotë) e shpallur nga Presidenti i Republikës, akte këto të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe pasi u njoha me të gjithë praktikën dokumentare të vendimmarrjes dhe vlerësimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, përcjellë fillimisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe plotësuar përfundimisht me shkresën e këtij organi, si dhe pasi vlerësova kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance dhe pas zgjedhjes nga Kuvendi të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim vendosa të dekretoj zonjën Marsida Xhaferllari si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në faqen zyrtare të Presidentit.
Presidenti Meta dekretoi më herët Besnik Muçin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese./ATSH/