Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të paketës “anti-shpifje”.
Sipas Metës ky ligj shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik.
“Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit. Në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Shkel standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, citon Meta.
Kujtojmë që ky ligj i miratuar me votat e mazhorancës është kritikuar edhe nga shumë organizata botërore të medias.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI
D E K R E T
PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 91/2019
“PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 97/2013
“PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,
D e k r e t o j
Kthimin për rishqyrtim në Kuvend, të ligjit nr. 91/2019, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, me qëllim rishikimin sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.
Nr. Dekreti 11413
Tiranë, më 11.01.2020
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
“Nga studimi i thelluar dhe krahasues i ligjit të miratuar në tërësi, konstatohet se disa dispozita të tij dhe konkretisht nenet 14, 15, 29, 30, jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me:
– Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;
– Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;
– Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim;
– Nuk janë në harmoni me standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.”