Presidenti Ilir Meta kërkon domosdoshmërisht nisjen e menjëhershme të procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit/rëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Kërkesa ka të bëjë me rrëzimin e kërkesës së Shoqatës së Bashkive për të shpallur si antikushtetuese zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, duke rrëzuar përfundimisht mundësinë për ripërsëritjen e zgjedhjeve që PD dhe LSI bojkotuan votimet.
Kërkesa mban datën 24 janar 2022 dhe i është dërguar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese i cili përgjatë mandatit të tij 9-vjeçar është përcaktuar si institucioni kushtetues që ka juridiksionin dhe kompetencën e shqyrtimit të çështjeve/shkeljeve disiplinore të konsumuara prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Pas shqyrtimit të të gjithë dosjes gjyqësore që na është përcjellë nga Gjykata Kushtetuese, rezultojnë disa të dhëna e fakte që bëjnë të detyrueshme t’ju përcjellim këtë informacion të shoqëruar me prova bindëse të cilat konfirmojnë se, ka të dhëna mëse të mjaftueshme se një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe konkretisht zonja Fiona Papajorgji dhe relatore e kësaj çështje ka konsumuar shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit. Përsa rezulton në dosje ekziston dyshimi ynë se në këtë veprimtari në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 8577/2000, mund të jenë përfshirë edhe disa anëtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese” thuhet në kërkesën e presidentit me nr protokolli 287.
Presidenti kërkon të merren masa emergjente
Presidenti shkruan se u vë në dispozicion Kolegit “shkeljet profesionale dhe etike” që janë konstatuar përgjatë shqyrtimit gjyqësor dhe të cilat gjykata Kushetuese nuk ka interes të njoftojë Kolegjin (pikërisht të faktit se mund të jenë përfshirëshumë anëtarë tëtrupës gjyqësore)”
“Këto të dhëna sipas parashikimeve të nenit 128 të Kushtetutës dhe nenin 10, 10/a të ligjit nr. 8577/2000, kërkojnë domodosmërisht që nga ana juaj të merren masa për fillimin menjëherë të procedimit disiplinor dhe të merren masa emergjente dhe të themelta në lidhje me këtë procedim disiplinor sipas ligjit” vijon kërkesa.
Një veprim të tillë Meta thotë se e ka marrë në përmbushje të rolit dhe misionit të tij kushtetues dhe që ka për detyrë të monitorojë funksionimin normal të mekanizmave kushtetues dhe si palë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor kushtetues ku janë konstatuar shkeljet.
Presidenti kërkoi dosjen
Vendimi u mor në datën 4 nëntor 2021 dhe u shpallur i arsyetuar në datën 2 dhjetor 2021
Më 9 dhjetor 2021 presidenti i kërkoi Gjykatës Kushtetuese vënien në dispozicion të një kopje të të gjithë dosjes gjyqësore të këtij vendimi dhe dokumentet që pasqyrojnë në mënyrë kronologjike hapat proceduralë dhe aktet që dokumentojnë këto hapa dhe vendimmarrjet përkatëse, që nga momenti fillestar i depozitimit të kërkesës prej shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, mënyrën e caktimit të relatorit të çështjes, diskutimet në Kolegj dhe Mbledhjen e Gjyqtarëve, si dhe të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar shqyrtimi i kësaj çështjeje deri në zhvillimin e seancës gjyqësore publike përfundimtare e shpalljen e vendimit.
Dosja iu vu në dispozicion presidencës më 16 dhjetor 2021.