Presidenti, Ilir Meta, thotë se po ndjek me shqetësim protestën e maturantëve dhe kërkesat e tyre ndaj autoriteteve përgjegjëse.
Në një postim në facebook, Kreu i Shtetit i bën thirrje Komitetit të Maturës Shtetërore që në përmbushje të detyrimit ligjor dhe përballë kërkesave të studentëve, në transparencë të plotë, të marrë sa më parë në shqyrtim të gjitha shqetësimet e tyre dhe t’u përgjigjet me përgjegjësi të plotë.
“Edhe zëri i vetëm i një maturanti duhet dëgjuar, vlerësuar dhe sqaruar për paqartësitë dhe vështirësitë që ka hasur në këtë kohë pandemie”, tha Meta.
Meta kujton se viti që kaloi ka qenë shumë i vështirë për të gjithë sistemin arsimor, por në mënyrë të veçantë për maturantët tanë.
Ndaj, thekson ai, provimi i Maturës Shtetërore duhet të shërbejë si një vlerësim i drejtë i dijeve të tyre në kohë të vështira, dhe jo si një ndëshkim ndaj pamundësisë objektive të studentëve dhe kufizimeve të pamerituara për arritjen e rezultateve të kërkuara!
Maturantët po protestojnë prej dy ditësh, ndërsa kanë paralajmëruar edhe ditën e dielë një tjetër protestë para Ministrisë së Arsimit, e në mbështetje të kauzës së tyre janë shumë studiues të fushës, por edhe pedagogë, prindër dhe aktivistë të shoqërisë civile.