Presidenti Ilir Meta ktheu sot ligjin, që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit “Nënë Tereza” me 13 vjet, duke e konsideruar atë “shkelje flagrante të ligjit dhe të Kushtetutës”.
Në një konferencë për medie, Meta tha se ky vendim i qeverisë është në shkelje flagrante të ligjit dhe të Kushtetutës, pasi shkel interesin e publikut dhe është mbajtur i fshehtë nga sytë e qytetarëve.
“Kuvendi ka ratifikuar ndryshimin e marrëveshjes se koncesionit mes Këshillit të Ministrave dhe shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport” për ndërtimin, vënien në punë të aeroportit “Nënë Tereza”. Ky ligj ka nivelin më të lartë të antikushtetutshmërisë, por dhe të korrupsionit. Korrupsioni legjislativ është kthyer në mjet mbulimi të përfitimeve klienteliste, ku për çdo përfitim të dhuruar bëjnë një ligj për ta miratuar”, tha Meta.
Ai theksoi se vendimarrja e ndjekur për shtesën arbitrare të koncensionit është kryer në kundërshtim të rregullave të shtetit shqiptar dhe në dëm të interesit të qytetarëve.
“Kjo kontratë është mbajtur e fshehtë ndaj publikut. Akoma në faqen e Kuvendit nuk është publikuar kjo shtesë kontrate”, u shpreh presidenti.
Meta komentoi edhe vlerësimin e DASH për gjyqtarin dhe anëtarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani mes 12 Kampionëve Kundër Korrupsionit.
“Dua t’i them meqënëse dje kryeministri ka nxjerrë një fletë lavërdimi për antikorrupsionin e tij, kjo nuk më habit, përpjekja për t’u vetëlavdëruar dhe i Ramaformës, kjo është kapja e shtetit, kjo është shpk. Këto janë si fletët e lavdërimit që merrte Partia e Punës kur shqiptarët vdisnin për bukë në Shqipëri”, tha Meta.
I pyetur për marrëdhëniet me SHBA-në dhe ambasadoren Yuri Kim, ai tha se janë të shkëlqyera.
“Raportet e Ilir Metës me SHBA janë të shkëlqyera. Se Ilir Meta, dhe me Europën, asnjëherë nuk gënjen e nuk mashtron. Nuk i keqpërdor për interesat e tij. Ilir Meta nuk ka shkelur asnjë ligj amerikan”, tha Presidenti.
Sipas Metës, populli vendos se kë do votojë.
Nuk janë dele shqiptarët. Nëse ke drejtuar mirë populli do të votojë dhe nuk dëgjon presidentin, ama që të bëhemi Kore e Veriut dhe të brohorasim “bravo Shqipëria socialiste”. E kam thënë edhe më parë, Shqipëria ka qenë 50 vjet regjimi më brutal i tipit koreano-verior, tani ka përfunduar kjo histori”, tha Meta.