Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në takimin tradicional të “Mëngjesit të Lutjeve” të Jeruzalemit, të organizuar nën kujdesin e veçantë të presidentit të Izraelit, Reuven Rivlin, nëpërmjet një videokonference.
Në këtë takim të rëndësishëm, mori pjesë Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, si edhe shumë përfaqësues të lartë shtetërorë e personalitete politike nga vende të ndryshme.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Meta, duke ju bashkuar lutjeve për paqe jo vetëm për Jeruzalemin, por për mbarë botën, theksoi se Shqipëria dhe shqiptarët ndihen shumë krenarë për harmoninë ndërfetare unike, si model frymëzues për të gjitha vendet.
“Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që doli nga ajo periudhë e errët duke numëruar një popullsi më të shumtë hebreje se sa kishte para fillimit të Luftës së Dytë Botërore.
Në Shqipëri nuk u vra asnjë hebre i vetëm, madje as edhe një prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë nga populli ynë. Shumë familje shqiptare rrezikuan jetën e tyre në përmbushje të misionit fisnik të mbrojtjes së jetëve hebreje. Dhe për këtë jemi shumë krenarë! E gjithë bota duhet të jetë krenare për shembullin tonë si dhe për kodin e nderit dhe mikpritjen shqiptare! Ne jemi gjithashtu shumë krenarë për harmoninë ndërfetar unike që mbizotëron në Shqipëri”, tha Meta.
Kreu i Shtetit, pasi vlerësoi marrëdhëniet miqësore me Izraelin, vuri në dukje krenarinë e kombin shqiptar që në periudhën më të errët të njerëzimit, Luftën e Dytë Botërore, mikpriti dhe mbrojti hebrenjtë, duke mos dorëzuar asnjë prej tyre.
“Kombet tona janë të lidhura me një nyje historike dhe miqësi që është përçuar dhe trashëguar nëpër shumë e shumë breza. Megjithëse jemi vende dhe kombe relativisht të vegjël, ne gjithmonë kemi luftuar për të drejtën që të jetojmë të lirë në truallin tonë. Ne gjithashtu ndajmë së bashku angazhimin tonë të plotë për shumëllojshmërinë fetare si një element thelbësor i demokracive tona. Ishte pikërisht kjo lidhje që i bëri shqiptarët t’i ofronin mikpritje, strehim dhe mbrojtje bashkësisë hebreje shqiptare, si dhe gjithëve atyre hebrenjve që po arratiseshin nga vendet e tjera evropiane për t’i shpëtuar asgjësimit pothuajse të sigurt nga Holokausti gjatë territ të dhunshëm dhe tmerreve të Luftës së Dytë Botërore”, tha Meta./ATSH/