Presidenti i vendit, Ilir Meta ka marrë pjesë në “Konferencën Ndërkombëtare “Rrugë të reja për t’u përkujdesuar – Bota pas Pandemisë së COVID-19, multilaterizmi për një të ardhme më të mirë” të zhvilluar në Romë.
Zoti Meta, me anë të një statusi në Facebook shprehet se mungesa e një protokolli të unifikuar standard për kontrollin e pandemisë krijoi terren të përsosur për abuzimin e pushtetit, veçanërisht nga autokratët dhe regjimet e tyre.
Statusi i plotë:
“Kënaqësi të merrja pjesë sot në Konferencën Ndërkombëtare “Rrugë të reja për t’u përkujdesuar – Bota pas Pandemisë së COVID-19, multilaterizmi për një të ardhme më të mirë”, që po zhvillohet në Romë, organizuar nga Këshilli i Koorporatës Europiane për Afrikën dhe Lindjen e Mesme.
Të gjithë e dimë se mungesa e një protokolli të unifikuar standard për kontrollin e pandemisë dhe disa masave të caktuara kontradiktore e jo të bazuara në kërkime thelbësore shkencore, krijuan një terren të përsosur për abuzimin e pushtetit, veçanërisht nga autokratët dhe regjimet e tyre.
Shfaqja e panevojshme e forcës, ndonjëherë edhe me praninë e strukturave ushtarake, imponoi pengesa të panevojshme si dhe kufizime të lirisë së qytetarëve.
Këto nuk ndihmuan aspak në drejtim të kontrollit të pandemisë!
Vendet dhe politikanët, të cilët dëgjuan dhe ndoqën me kujdes këshillat e shkencës dhe kërkimit shkencor, ishin shumë më tepër efikasë e më të suksesshëm, veçanërisht në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.”