Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim një përfaqësi të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN), të cilët i paraqitën gjetjet e raportit të tyre të tretë kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020”.
Referuar gjetjeve të “Rinia në Shqipëri 2020” papunësia e të rinjve vijon të mbetet një problem thelbësor. Të rinjtë e diplomuar janë ata që vuajnë nivelet më të larta të papunësisë.
Pasi u njoh me gjetjet e raportit dhe u njoh nga afër me problemet më shqetësuese më të cilat përballet sot rinia shqiptare, si mungesa e dëgjimit të zërit të tyre nga institucionet vendimmarrëse, mungesa e vendeve të punës dhe shanseve të barabarta, papunësia sidomos për të diplomuarit dhe shpopullimi, Presidenti Meta i siguroi të rinjtë për mbështetjen e tij të palëkundur në problematikat që ata ndeshen çdo ditë ne vend.
“Ka ardhur koha për një restart, për një zgjim dhe shkundje të rinisë, për të marrë në dorë fatet e saj dhe të së ardhmes së vendit. Për këtë është e domosdoshme që rinia të jetë e bashkuar, veçanërisht për refuzimin e falsitetit të këtij sistemi, që nuk i dëgjon, nuk i përfshin dhe nuk ju jep asnjë mundësi të rinjve. Shqetësimi im i madh është shpopullimi i Shqipërisë, veçanërisht largimi i të rinjve, që përbën një kërcënim mjaft serioz për të ardhmen vendit dhe kombit tonë”, – tha Meta./ATSH/