Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish në lidhje vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në një deklaratë për mediet ai tha se qëllimi i shtyrjes së zgjedhjeve ka si qëllim qetësimin e situatës dhe se bën thirrje për dialog mes palëve.
“U bënë dhjetë ditë që është në fuqi dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve më datë 30 qershor, me qëllim qetësimin e situatës dhe krijimin e mundësive për dialog, që do të normalizonte situatën politike dhe do të krijonte mundësinë për një datë të re të zgjedhjeve vendore, gjithëpërfshirëse dhe demokratike.
Theksoj sërish se nuk është kurrsesi momenti për prova force, për retorikë përçarëse dhe provokuese, por për maturi dhe përgjegjshmëri të lartë për interesat kombëtare të vendit dhe vazhdimësinë e integrimit evropian që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve.
Sërish insistoj me forcë rëndësinë e dialogut mes palëve e njëkohësisht gatishmërinë time për të kontribuar për një zgjidhje sa më të shpejtë”, tha Meta.