Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shprehën sot keqardhjen për mungesën e një vendimi nga ana e udhëheqësve të Bashkimit Evropian, javën e shkuar, në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim me të dy vendet ballkanike.
Meta tha se asnjë nuk është i lumtur, porse të dy vendet ndajnë një qëndrim të përbashkët se e vetmja rrugë dhe e vetmja alternativë e pakonkurrueshme nga çdo ide tjetër, për to, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian, raporton VOA.
“Çdo ide tjetër” – theksoi zoti Meta – “do të ishte e papranueshme për një rajon që është aq jetik për të ardhmen e vetë kontinentit dhe aq më tepër që sot është i rrethuar, edhe gjeografikisht nga vetë Bashkimi Evropian”.
Nga ana e tij presidenti maqedonas, Pendarovski, theksoi se të dy vendet u përpoqën që të bindin vendet e BE-së se nuk bëhej fjalë për anëtarësim të plotë por vetëm për fillimin e një procesi që do të vazhdojë me vite të tëra. Ai tha se mungesa e një vendimi ishte një ndëshkim i pamerituar për gjithë rajonin, i cili, shtoi ai nuk duhet harruar.
“Nëse nuk ka një Ballkan të qëndrueshëm, as kontinenti evropian nuk mund të jetë i qëndrueshëm”, theksoi presidenti maqedonas.