Presidenti Ilir Meta i ka dërguar sot një mesazh asamblesë së Partisë Socialiste ku shprehet se kryeministri Rama ka marrë peng këtë parti.
“Po ju drejtohem si një prej ish-themeluesve dhe ish-anëtarëve të parë të Partisë Socialiste, që ndihet krenar për kontributin e dhënë, jo vetëm për modernizimin e kësaj force politike, anëtarësimin e saj në Internacionalen Socialiste, por edhe për arritjet e sukseset saj në vite, veçanërisht për miratimin me Referendum të Kushtetutës në vitin 1998. Unë hyra në Partinë Socialiste, atëherë kur nuk shkonte asnjë i ri dhe kur Edi Rama hidhte baltë të zezë mbi socialistët dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Është ky individ, të cilin PS e mori nga refugjat dhe e bëri ministër, kryetar bashkie dhe kryeministër, i cili sot ka marrë peng këtë parti dhe po e keqpërdor stemën e PS-së për të bllokuar integrimin e Shqipërisë”, shprehet Meta.
“Ju e dini shumë më mirë se unë, se si ky njeri i papërgjegjshëm, përjashtoi nga kjo parti profesorët dhe intelektualët më të spikatur të vendit, për t’i zëvendësuar ata me trafikantë dhe kriminelë, të cilët ju skuqin sot nga turpi”, u shpreh Meta.
“Ky njeri më akuzon sot se kam takuar skutave subjekte të OFL-së. I kërkoj publikisht të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e kam takuar këtë personazh të botës së krimit dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen. Përndryshe, nëse nuk e bën këtë gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, jam i detyruar të merrem çdo ditë me të dhe t’u faktoj shqiptarëve lidhjet e tij të tmerrshme me botën e krimit, dëmet ndaj çështjes kombëtare, dhe nuk do t’i ndahem derisa ta përzëmë së bashku edhe nga Partia Socialiste.Çdo ditë do e ftoj në debat televiziv, në çdo studio që do zgjedhë ai, dhe me çdo gazetar që preferon ai. Në pritje të reflektimit”, shprehet ai.