Meta pritet nga Kurti: Të konkretizohen marrëveshjet ndërqeveritare me Shqipërinë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Presidenti Ilir Meta, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, u prit sot në një takim nga kryeministri Albin Kurti, me të cilin bashkëndanë urimet më të përzemërta me rastin e festës kombëtare, Ditës së Flamurit.

Presidenti Meta e përgëzoi kryeministrin Kurti për zhvillimin model të zgjedhjeve lokale në Kosovë, çka sipas tij, përbën një shembull tjetër të maturisë demokratike të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Kreu i Shtetit vlerësoi angazhimin e qeverisë së kryeministrit Kurti për të nxitur dhe thelluar në të gjitha fushat marrëdhëniet strategjike dhe vëllazërore mes dy vendeve tona, si dhe vuri në pah gatishmërinë dhe vullnetin e Shqipërisë për t’i shndërruar edhe marrëdhëniet ekonomike-tregtare në të njëjtin nivel të shkëlqyer, siç janë ato politike.

Në këtë kuadër, presidenti Meta dhe kryeministri Kurti vlerësuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë, si dhe për angazhimin e përbashkët në projekte infrastrukturore, që do të kenë impakt të rëndësishëm në zhvillimet ekonomike e sociale të vendeve tona, siç është ndërtimi i linjave hekurudhore Durrës-Prishtinë dhe Shkodër-Gjakovë.

Në prag të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Elbasan, Presidenti Meta shprehu besimin dhe nevojën që marrëveshjet që janë finalizuar e do të nënshkruhen, të konkretizohen në praktikë, për t’i shërbyer në mënyrë thelbësore forcimit të lidhjeve, si dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë.

Kreu i Shtetit shqiptar shprehu mbështetjen e tij për të gjitha nismat rajonale gjithëpërfshirëse, si Procesi i Berlinit, që garantojnë konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve, faktor kyç për garantimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon.

Në bisedën e hapur për rëndësinë e përshpejtimit të procesit të dialogut me Serbinë, presidenti Meta theksoi se është mjaft e rëndësishme konsultimi dhe mbështetja nga të gjitha forcat politike në Kosovë./ATSH/

Share This Article