Presidenti Ilir Meta bëri përgjegjës qeverinë shqiptare për situatën e rëndë që kaluan për 5 ditë qytetarët shqiptarë në pikën kufitare të Kakvijës.
Kreu i shtetit nuk përjashtoi veten nga përgjegjësia por drejtoi gishtin drejt kryeministrit i cili njëkohësisht ka dhe detyrën e ministrit të jashtëm.
“Ashtu siç ka ndodhur shpeshherë, Qeveria gjen justifikime duke e drejtuar gishtin nga ana tjetër e kufirit, ndërkohë që është përgjegjësia e saj parësore që të marrë masat dhe të kujdeset për shtetasit e saj. Çfarë infiormacioni dhe sqarimi u është dhënë njerëzve që lëvizin jashtë vendit, dhe në mënyrë të veçantë atyre për në Greqi. A ka patur ndonjë njoftim zyrtar nga MEPJ për kuotës e leje kalimit prej 750 vetsh në ditë. Përgjegjësia është vetëm e qeverisë shqiptare.
Kjo gjë duhej të kishte ndodhur më parë, që të mos krijohej kjo situatë e jashtëzakonshme. Këto gjëra nuk u bënë, krijohet situatë e jashtëzakonshme dhe përpiqemi të spostojmë debatin te gjërat që nuk kanë kuptim. Aq më tepër përpiqemi të fajësojmë edhe viktimat e kësaj krize të krijuar të shkaktuar nga mosushtrimi i detyrave në kohën e duhur nga ata të cilët janë përgjegjës për këtë çështje”, tha Meta.
Ai po ashtu tha se ”Imediate është shëndeti i njerëzve. Është mungesa e përgjegjësisë për të dhënë ndihmesën e duhur për sektorin e shëndetësisë. Në këtë drejtim, edhe njëherë dua të theksoj se si President i Republikës, kam bërë çdo përpjeke për të bashkëpunuar sa më ngushtë me qeverinë dhe çdo institucion tjetër, që Covid-19 të ketë sa më pak kosto për qytetarët shqiptarë.”
Një ndër gabimet e qeverisë Rama, sipas Metës, është edhe emërimin e Luela Hajdaragës,, vajzës së një prej njerëzve dikur me peshë në PS, Luan Hajdaragës, si ambasadore në Greqi, pa u konsultuar më parë me të.
Meta pohoi se asgjë nuk e justifikon veprimin e qeverisë, nuk u konsultua me presidentin për ndryshimet diplomatike në Greqi
“Edhe pse qeveria duhet të ishte konsultuar me presidentin për ndryshimet në krye të personelit diplomatik në Greqi, por e bëri fakt të kryer, pikërisht duke pasur parasysh çështje të tilla, jam treguar bashkëpunues. Asgjë nuk e justifikon sjelljen e qeverisë. Po kështu, reagimi i im i parë ka qenë shumë i rezervuar në raport me opinionin publik me këtë çështje, por isha i detyruar më pas të reagoja më qartë, sepse në vend të një përkushtimi maksimal për t’iu përgjigjur një situate me ndjeshmëri, përgjegjshmëri e shqiptarizëm, pashë që po u vihet faji atyre për detyrat e pakryera në kohë nga ana e institucioneve tona. Isha i detyruar të përshkallëzoja reagimin.’’
Nga dita e nesërme do t’i çoj një kalendar qeverisë, sipas një vlerësimi të institucionit tonë për të parandaluar raste të tilla, duke patur parasysh frekuencat e kalimit në kufi përgjatë 1 viti. Siç e dini, Pshkët, Krishtlindjet. Viti i Ri. Koha kur emigrantët vijnë për pushime dhe kur ikin përsëri”, tha Meta.