Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka bërë thirrje sot se, pas shpalljes së gjendjes së emergjencës në nivel global nga OBSH, duhen marrë masat më të forta të mundshme sanitare dhe epidemiologjike për të parandaluar koronavirusin të hyjë në vendin tonë.
Aq më tepër, ka theksuar Meta, “kur tashmë janë konstatuar dy raste në Italinë fqinje, por ndoshta dhe në vende të tjera pranë nesh”.
“Unë mendoj se është koha për të marrë masat më të forta. Shqipëria ka një eksperiencë me raste të tilla, siç ka qenë parandalimi i suksesshëm i SARS-it dikur. Por, është e rëndësishme të theksohet se çdo nënvlerësim mund të jetë me pasoja kritike dhe unë shpresoj dhe inkurajoj marrjen e masave më të forta parandaluese”, është shprehur Meta.
Ai ka shtuar se, “rastet në Itali dhe ndoshta dhe një rast në një vend tjetër fqinj e tregojnë shumë qartë se ne jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë me çdo kusht dhe me çdo mjet depërtimin e këtij virusi në vendin tonë”.
“Ashtu siç e theksova më parë Shqipëria ka qenë shumë se suksesshme për të parandaluar SARS-in përpara 16-17 vitesh dhe i kemi të gjitha mundësitë në rast se të gjithë bëjnë detyrën me përgjegjësi maksimale”, është shprehur Meta.
Gjithashtu Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot pranë ambienteve të Spitalit Amerikan dhe i uroi shërim të shpejtë, Profesor Safet Beqirit, Shef i Kirurgjisë Torakale në Frankfurt të Gjermanisë.
“Sot vizitova pranë ambienteve të Spitalit Amerikan dhe i urova shërim të shpejtë, Profesor Safet Beqirit, Shef i Kirurgjisë Torakale në Frankfurt të Gjermanisë, i cili profesionalisht radhitet në eminencat botërore të kirurgjisë torakale”, theksoi Meta.
Presidenti Meta shtoi se, “aspekti i tij human qëndron mbi atë profesional”.
“Janë të shumtë qytetarët tanë të cilëve Profesori ju ka shërbyer me shumë përkushtim dhe dashuri”, tha Meta.