Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar me titullin ”Mjeshtër i madh” gazetarë të shquar sportivë shqiptarë në kuadër të ditës ndërkombëtare të gazetarëve sportivë.
Zoti Meta nderoi gazetarin Bashkim Tufa, Moisi Dalipaj,Ymer Striniqi, Frederik Fico, Xhevdet Zeka dhe Sotir Seferaj.
“Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë pata kënaqësinë të vlerësoj me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, disa nga ikonat e gazetarisë sonë sportive, që me analizat, opinionet dhe komentet e tyre profesionale kanë kontribuar dhe vijojnë të japin një ndihmesë të vyer për zhvillimin dhe promovimin e vlerave të sportit të ndershëm, të shëndetshëm dhe të suksesshëm.
Kënaqësi e veçantë të vlerësoja, gazetarin e mirënjohur dhe shumë të dashur, kryeredaktorin e famshëm të gazetës “Sporti Popullor”, Bashkim Tufa dhe komentatorin e palodhur, promovuesin e vlerave të sportit vlonjat dhe kombëtar, Moisi Dalipaj.
Privilegj të nderoja edhe dy personalitete të paharruara, që nuk i kemi midis nesh, por që me punën, kontributin dhe trashëgiminë që kanë lënë pas, mbeten ikona të përjetshme të mikrofonit dhe gazetarisë sportive, Ymer Striniqi, komentatorin e famshëm dhe arkivin e sportit shkodran dhe Frederik Fico, njeriun e mrekullueshëm dhe komentatorin e talentuar të futbollit nga Gjirokastra.
Gjithashtu, kisha kënaqësinë të nderoja edhe pedagogun, gazetarin dhe analistin e shquar sportiv, Xhevdet Zeka, si dhe publicistin, futbollistin e talentuar dhe autorin e shumë librave për legjendat e sportit shqiptar, Sotir Seferaj.
Të punojmë për të promovuar sa më shumë sportin dhe vlerat e tij sepse kemi nevojë për fëmijë dhe të rinj që merren me sport, bëjnë një jetë aktive të shëndetshme dhe larg veseve, që cenojnë shëndetin e tyre, të familjeve dhe të shoqërisë sonë.”