Politikani opozitar rus Alexey Navalny, i cili u trajtua në Gjermani pas dyshimit se ishte helmuar, u arrestua në Moskë pasi u kthye në Rusi.
Fillimisht ishte planifikuar që Navalny dhe bashkëshortja, Yulia Navalnaya të uleshin në aeroportin ”Vnukovo” të Moskës, por avioni me të cilin udhëtonin ata u devijua për në aeroportin ”Sheremetyevo”.
Në një deklaratë, Shërbimi Federal i Burgjeve i Rusisë tha se Navalny u ndalua “për shkelje të përsëritura të periudhës së lirimit me kusht” që nga 29 dhjetori i vitit 2020 dhe do të paraqitet para një gjykate.
Ndërkohë, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, i bëri thirrje Rusisë që të lirojë Navalnyn.
“Ndalimi i Alexey Navalny-t pas arritjes në Moskë është i papranueshëm. U bëj thirrje autoriteteve ruse që ta lirojnë menjëherë”, shkroi Michel në Twitter.
Edhe Gjermania i kërkon Moskës “lirimin e menjëhershëm” të Alexei Navalny, i arrestuar dje gjatë kthimit të tij në Rusi.
”Arrestimi i tij është krejtësisht i pakuptueshëm”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.