Mediumi “Middle East Eye” me bazë në Britaninë e Madhe i cili raporton mbi Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut së fundmi ka kushtuar një artikull për vendimin e Qeverisë së Kosovës për blerjen e dronëve “Bayraktar TB2” nga shteti turk, ku ndër të tjera shkruhet se ndikimi i Perëndimit në Ballkan po zbehet e ndërsa rëndësia strategjike e Turqisë në Ballkanin Perëndimor po konsolidohet.
Artikulli në fjalë përmban edhe një intervistë të shkurtër me një burim të afërt me Qeverinë e Kosovës, i cili ndër të tjera ka folur për rëndësinë të cilën ekzekutivi kosovar i udhëhequr nga Albin Kurti po i kushton Turqisë.
Sipas po këtij burimi Qeveritë e kaluara kishin zgjedhur të ruajnë një distancë publike nga administrata turke e udhëhequr nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, pavarësisht marrëdhënieve të forta institucionale.
“Kishte një frikë në Prishtinë se nëse do të kishte një perceptim se Kosova ishte shumë e lidhur me Erdoganin, mund të ngrinte dyshime në perëndim”, thotë fillimisht ky burim.
Ndërsa tash, sipas burimit në fjalë të cilën e citon ky medium, Qeveria mu në krye me Albin Kurti si reaksion kundër politikave të anshme të Perëndimit, i cili vazhdimisht po tenton të qetësojë Serbinë në kurriz të Kosovës, ka sjellë në fokus rëndësinë strategjike të Turqisë.
“Është thelbësore që liderët perëndimorë të pranojnë se Kurti është një politikan pragmatik që e kupton realpolitikën dhe i përshtatet rrethanave në ndryshim. Brenda lidershipit të Kosovës, qetësimi i vazhdueshëm i Serbisë nga Perëndimi ka sjellë në fokus të thellë rëndësinë strategjike të Turqisë”, ka shtuar ai.
“Si rezultat, ndikimi turk në Kosovë ka të ngjarë të forcohet në mënyrë të konsiderueshme, duke çuar në intensifikimin e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes”.