Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka çuar për verifikim të thelluar në Prokurorinë e Përgjithshme, kryetarin e Bashkisë Has, të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Miftar Dauti.
Dauti, në zgjedhjet e 14 majit 2023, mori 55.9% të votave nga totali, saktësisht 4420 vota, ndërsa rivali i tij në garë, kandidati socialist, Beqir Mulaj, mori 3488 vota, rreth 44.11% të votave.
Por fitorja në zgjedhje duket se është njëra anë e medaljes. Janë ende të paqarta arsyet se përse Celibashi vendosi që të kryhen verifikime të thelluara të të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të subjektit vetëdeklarues Miftar Dauti, Kryetar Bashkie, Bashkia Has, i propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Komisioneri nuk i ka bërë publike, por i ka dërguar të dhënat përkatëse në Prokurorinë e Përgjithshme, për vlerësim të mëtejshëm.
Kallëzimi
Miftar Dauti, sipas një njoftimit të policisë, rezulton se ka kërcënuar thuajse një muaj përpara zgjedhjeve, përgjegjësen e OSSH-së në Has. Ai është proceduar penalisht pasi akuzohet se ka kanosur të renë e identifikuar si, Entiola Mulaj, 28 vjeçe, me detyrë Përgjegjëse pranë Zyrës së OSSH-së, dega Has.
Ndërsa Dauti e denoncoi atë për blerje votash, pasi, sipas tij, i ndaloi furgonin e mbushur me ndihma, që drejtohej nga i biri. Për ngjarjen në fjalë edhe Prokuroria ka nisur hetimet.
Sipas policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. D., 56 vjeç, banues në fshatin Golaj, pasi më datë 18.04.2023, u kallëzua nga shtetasja E. M., 28 vjeçe, me detyrë Përgjegjëse pranë Zyrës së OSSH-së, dega Has, me pretendimin se është është kanosur nga shtetasi M. D.
“Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. D., 56 vjeç, S. D., 43 vjeç dhe F. D., 52 vjeç, të tre banues në fshatin Golaj, pasi më datë 19.04.2023, ka kallëzuar shtetasi I. A., me detyrë elektriçist pranë OSHEE-së, Krumë, se në fshatin Helshan, gjatë procesit të tij të punës, për dërgimin e një transformatori të energjisë elektrike, në këtë fshat, është kundërshtuar për kryerjen e këtij procesi pune, nga shtetasit M. D., S. D. dhe F. D. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”- thuhet në njoftimin e policisë.