Emri i drejtorit të ri sportiv të Milanit, shpallja e të cilit pritej në fillim të muajit, është ende një enigmë e pazgjidhur, por aktualisht ish-bomberi kuqezi Igli Tare duket se është profili që qëndron në pole position.
La Gazzetta dello Sport raporton se pas takimit të gjatë ballë për ballë disa ditë më parë në Romë me Giorgio Furlani, ka pasur kontakte të reja mes ish-lojtarit të Lazios dhe CEO-s së Milanit, i cili prej javësh po kryen personalisht negociatat dhe një takim i dytë do të ndodhë së shpejti.
Për momentin data e takimit të ri nuk dihet ende, por klubi kuqezi dëshiron të reflektojë me shumë kujdes përpara se të bëjë zgjedhjen përfundimtare. Koha po mbaron, vera nuk pret dhe në Casa Milan do të donin që vendimi përfundimtar të mbërrinte në gjysmën e parë të majit.
Në takimin e ri që do të kenë, Furlani dhe Tare do të vazhdojnë diskutimet e nisura ballë për ballë pozitivisht në Romë dhe ka gjasa që të arrihet një pikë kthese: ose do të braktiset tratativa me ish-sulmuesin kuqezi, ose do të arrihet një marrëveshje, ndoshta duke planifikuar një raund përfundimtar për të filluar më në fund punën dhe planifikimin e sezonit të ri.
Ndërkohë, emrat e parë kanë nisur të qarkullojnë për merkaton e Milanit. Me Taren, përforcimi i parë përsa i përket repartit ofensiv mund të vijë nga Bundesliga. Bëhet fjalë për Jonathan Burkardt, sulmues i klasit 2000 nga Mainz, i cili me paraqitjet e tij (16 gola dhe 3 asistime mes kampionatit dhe Kupës së Gjermanisë), ka fituar edhe besimin e Nagelsman duke veshur fanellën e kombëtares gjermane.