Tingëllon si një tallje për Milanin. Pas nënshkrimit të Moratas dhe zhvendosjes së vëmendjes te Fofana dhe Emerson Royal, klubi kuqezi tani sheh t’i zhduket mundësia e një përforcimi cilësor në sulm. Në fakt, sipas lajmeve të orëve të fundit nga Gjermania, Niclas Füllkrug është i destinuar për një transferim në Premier League.
Borussia e Dortmundit kishte kërkuar 30 milionë euro për të lënë 31-vjeçarin gjerman të largohej dhe West Hami, i cili ishte i interesuar që lojtari të përforconte sulmin, është gati ta paguajë këtë shumë. Sipas informacioneve të siguruara nga Sky Sports DE, klubi verdhezi do të marrë 26 milionë të ardhura “cash” dhe 4 milionë të tjera bonuse.
Füllkrug dëshiron të kalojë tek West Ham United. Atij i është garantuar një kontratë trevjeçare (deri në vitin 2027) me opsionin edhe një vit tjetër. Gjermani do të fitojë 3 milionë euro në sezon. Tim Steidten dhe Sebastian Kehl udhëhoqën negociatat, që u mbështetën shumë nga trajneri i “Hammers”, Lopetegui.
Nëse gjithçka shkon mirë, Füllkrug do të fluturojë për në Londër këtë javë. Ndërkohë BVB tashmë është në kërkim të alternativave për 31-vjeçarin.