Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo ka vlerësuar se gjuha e përdorur nga kryeministri Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste, me zhargone dhe fyerje, është e palejueshme për një burrë shteti.
“Unë këtu nuk jam përfaqësues i mazhorancës dhe kam ardhur të shfaq mendimet e mija. Sa i përket Kongresit të PS-së, unë nuk ndodhesha në Tiranë, por e ndoqa pjesërisht. Ishte një kongres elektoral, fillimi i një fushate. Brenda mesazheve dhe se si u organizua ishte një përgjigje sfidante, për opozitën shqiptare dhe mënyrën se si ajo ka protestuar. Pastaj sa i përket sitilit dhe fjalorit të Ramës nuk besoj se ju jeni çuditur sepse gjuha e tij mbetet një gjuhë e veçantë, ekspresive, me metafora dhe zhargone, por janë të palejueshme për një burrë shteti, i cili duhet të reflektojë në komunikimin e tij masiv një gjuhë të zgjedhur dhe të dëshmojë urtësi”, tha Milo në RTV Ora.