“Takimi i parë i ynë sot ishte le të themi për “Makro-Shengenin” shqiptar sesa për ‘Mini-Shengenin’ ballkanik”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
“Unë besoj se s’ka makro shengen shqiptar pa minishengen ballkanik”, u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Dy kryeministrat Albin Kurti e Edi Rama nuk pajtohen rreth minishengenit Ballkanik. Qëndrimet e kundërta i thanë në konferencën e përbashkët në Tiranë, gjatë vizitës së parë të Kurtit si kryeministër i Kosovës.
Megjithatë Rama e Kurti për diçka ranë dakord. Krijimin e një komisioni ndërshtetëror për rishikimin dhe zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar deri tani mes dy vendeve. Kurti tha se dëshira e tij është që vendet të kenë një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit dhe se duhet të jenë prioritet i njëri-tjetrit pa humbur kohë.
“Duam që ta shtojmë bashkëpunimin, ta shtojmë bashkërendimin duke e thelluar e duke e zgjeruar atë. Në veçanti duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë, të arsimit, të sigurisë e të politikës së jashtme”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
“Është e vërtetë që kemi nevojë për një përshpejtim, për një shpejtësi të re. Albini e quan fillim i iri, është i ri në detyrë, por një shpejtësi e re është e domosdoshme sepse kemi shumë marrëveshje, një pesë kanë ecur mirë, një pjesë e tyre nuk kanë ecur mirë”, deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Kurti ka takuar edhe liderin e opozitës Lulzim Bashën. Ky i fundit u zotua se Qeveria Kurti mund të mbështetet në opozitën shqiptare për realizimin e objektivave.
“Ne do të bëjmë gjithçka në tregtinë e lirë, në integrimin e lirë të Shqipërisë e të Kosovës. Për t’iu dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë, e në veçanti rinisë. Për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar”, Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Kurti ka takuar edhe presidentin e Shqipërisë Ilir Metën dhe kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi.