“Sot po e shënojmë 26-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovinë. Ishte ky një prej krimeve më të rënda në tokën evropiane që pas Luftës së Dytë Botërore. Në operacionin e planifikuar janë vrarë më shumë se 8 mijë persona – kryesisht burra myslimanë. Mbi 20 mijë gra dhe fëmijë dhunshëm janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, e pabesueshme! Ne sot i kujtojmë”, ka theksuar ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab
Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Dominic Raab, ka deklaruar të premten se gjenocidi i kryer në Srebrenicë ka qenë njëri prej krimeve më të rënda që ka ndodhur në hapësirën e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.
Raab ka qenë njëri prej folësve në shënimin kombëtar të Ditës së kujtimit për Srebrenicën në Britaninë e Madhe, ka raportuar agjencia Al-Jazeera.
“Sot po e shënojmë 26-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovinë. Ishte ky njëri prej krimeve më të rënda në tokën evropiane që pas Luftës së Dytë Botërore. Në operacionin e planifikuar janë vrarë më shumë se 8 mijë persona – kryesisht burra myslimanë. Mbi 20 mijë gra dhe fëmijë dhunshëm janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, e pabesueshme. Ne sot i kujtojmë”, ka theksuar Raab, teksa ka shtuar se “ne i vajtojmë viktimat e atyre ngjarjeve të tmerrshme dhe jemi pranë familjarëve në luftën e tyre për drejtësinë”.
Organizata britanike “Remembering Srebrenica” ka organizuar të mërkurën Ditën kombëtare të Kujtimit për Srebrenicën në Mbretërinë e Bashkuar, e cila sivjet në tërësi është transmetuar nëpërmjet internetit.
Waqar Azmi, kryetar i organizatës “Remembering Srebrenica”, ka theksuar se ngjarjen përkujtimore e “kanë mbështetur organizatat ndërpartiake dhe ndërqeveritare” nga Westminsteri, Skocia, Uellsi dhe Irlanda Veriore, ka raportuar Al-Jazeera.
Gjatë të dielës do të varrosen mbetjet mortore të 19 viktimave të porsaidentifikuara të gjenocidit të Srebrenicës, të cilat janë gjetur gjatë vitesh në disa prej varrezave masive nëpër vend.
Në varrezat e Qendrës Përkujtimore në Potoçare deri më tani janë varrosur mbetjet mortore të më shumë se 6.900 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.