Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius i bëri thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të kërkojë falje për shpërfilljen e kontributeve të aleatëve të NATO-s në Afganistan, duke thënë se komentet tregojnë mungesë respekti ndaj ushtarëve aleatë që humbën jetën duke shërbyer përkrah forcave amerikane, transmeton Anadolu.
“Një kërkim falje për familjet e ushtarëve të rënë do të ishte shenjë e mirësjelljes, respektit dhe gjithashtu e mprehtësisë”, tha Pistorius në një intervistë për transmetuesin publik gjerman ARD të dielën vonë duke e përshkruar kritikën e Trumpit si “të pahijshme dhe mungesë respekti”.
Trumpi pretendoi gjatë një interviste për “Fox News” javën e kaluar se SHBA-ja nuk kishin kurrë nevojë për trupa të NATO-s në Afganistan dhe pretendoi se forcat aleate qëndruan larg vijave të frontit gjatë konfliktit. Komentet shkaktuan zemërim midis aleatëve evropianë, veçanërisht në Danimarkë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar, ushtritë e të cilave pësuan viktima gjatë misionit 20-vjeçar.
Pistorius tha se të gjithë partnerët e NATO-s qëndruan pranë SHBA-së pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. “Të pretendosh sot diçka ndryshe, thjesht nuk është e vërtetë”, theksoi ai.
Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 ndaj SHBA-së, për herë të parë NATO përdori Nenin 5, i cili thotë se një sulm ndaj një anëtari është sulm ndaj të gjithëve. Në përgjigje, shtetet anëtare dërguan mijëra trupa në Afganistan.
I pyetur nëse do ta ngrinte këtë çështje drejtpërdrejt me sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth, Pistorius tha: “Sigurisht, sapo ta shoh”.
Gjermania humbi 59 ushtarë gjatë vendosjes së saj në Afganistan nga viti 2001 deri në vitin 2021. Britania humbi 457 ushtarë në luftime ndërsa Danimarka 43 trupa.

