Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, deklaroi të shtunën se Hungaria kundërshton mbështetjen e re të Bashkimit Evropian për Ukrainën, duke akuzuar Brukselin se po përgatitet për një “luftë të gjatë dhe jo paqe”.
Komentet e tij erdhën pas takimit joformal të ministrave të jashtëm të BE-së në Kopenhagën, kryeqytetin e Danimarkës.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, kishte thënë më herët se BE-ja po shqyrton përdorimin e aseteve të ngrira ruse për mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës.
Ajo u shpreh se “Rusia nuk po përgatitet për paqe. Është e kundërta. Ata po përgatiten për më shumë luftë.”
Në përgjigje, Szijjarto shkroi në platformën sociale amerikane X: “Në takimin e sotëm të ministrave të jashtëm të BE-së në Kopenhagë, u bë e qartë se Brukseli dhe shumica e shteteve anëtare po përgatiten për një luftë të gjatë, jo për paqe.”
“Ata duan të dërgojnë dhjetëra miliarda euro në Ukrainë për pagat e ushtarëve, dronët, armët dhe funksionimin e shtetit ukrainas” shtoi ai.
Szijjarto kritikoi Komisionin Evropian për dhënien përparësi Kievit mbi shtetet anëtare.
“Ata injorojnë plotësisht hungarezët dhe sigurinë tonë energjetike, duke vazhduar të refuzojnë t’i përgjigjen letrës së përbashkët që dërguam me Sllovakinë për rrezikun që Ukraina i sjell rrugës sonë të furnizimit”, tha ai.
Szijjarto përvijoi qëndrimin e Hungarisë: mbështetje vetëm për një marrëveshje paqeje SHBA-Rusi, kundërshtim ndaj anëtarësimit të shpejtë të Ukrainës në BE, refuzim për të financuar ushtrinë ukrainase dhe kundërshtim të sanksioneve që mund të ndikojnë në furnizimin me energji dhe kostot e familjeve hungareze.